Qeveria do të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përmes skemës financiare.
Ndërmarrjet që kanë në fokus konkurrueshmërinë, artizanatin, gratë në sipërmarrje, inovacionin në teknologji, me qëllim nxitjen drejt eksportit, do të përfitojnë sipas kushteve të vendimit, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit, skema e mbështetjes financiare për shpenzimet korrente për programin e mbështetjes për zhvillimin ekonomik, është në vlerën e 100 milionë lekëve, fond i cili mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2 milionë e pesëqind mijë lekë.
Ndërkohë, mbështetja financiare për “shpenzime kapitale”, është në vlerën e 31 830 000 lekë. Nga ky fond ndahen në vlerën e 21 830 000 lekë për projekte për konkurrueshmërinë, të cilat mbulojnë 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 1 500 000 lekë, si dhe në vlerën 10 000 000 lekë, projekte në mbështetje të artizanatit, të cilat mbulojnë kostot 100%, por pa kaluar vlerën e 1 000 000 lekëve.
Në mënyrë që të përfitojnë fondin, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe të posaçme, duke pasur në fokus nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive për shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.
Gjithashtu projektplani i biznesit, përveç qartësisë dhe përputhshmërisë me dhënien e fondit, duhet të argumentojë se aktivitetet do të rrisin numrin e të punësuarve dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis.
Aplikuesit gjithashtu duhet të provojnë se kanë paguar detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e tyre.
Disbursimi i fondeve do të bëhet me dy këste.
Pritet së shpejti që Ministria e Ekonomisë dhe AIDA të nxjerrin udhëzimet për zbatimin e këtij vendimi. /ekofin.al
