Data 20 janar 2025 është afati për dorëzimin e deklarimit të angazhimit të audituesve ligjorë për vitin 2024 për njësitë ekonomike me interes publik dhe njësitë ekonomike jo me interes publik. Njoftimi është bërë nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, i cili theksoi se këto deklarime do t’i nënshtrohen kontrollit të cilësisë sipas rregullave të përcaktuara në ligj dhe akte të tjera nënligjore. Informacioni mund të deklarohet elektronikisht ose në formë shkresore, ndërkohë që në faqen zyrtare të BMP në internet gjendet edhe formulari që duhet plotësuar me të dhënat përkatëse.
Kush ka detyrimin për auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore?
Sipas ligjit, detyrimin për kryerjen e auditimit ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale apo të konsoliduara, përpara publikimit të tyre e kanë të gjitha njësitë ekonomike, të cilat, në mbyllje të periudhës kontabël, për dy vite radhazi, tejkalojnë dy prej tre treguesve të mëposhtëm:
-totali i aktiveve të bilancit, në mbyllje të periudhës kontabël përkatëse, arrin ose e kalon shumën prej 50 milionë lekësh;
-shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël arrin ose e kalon shumën prej 100 milionë lekësh;
– ka, mesatarisht, të paktën 50 të punësuar gjatë periudhës kontabël.
Të gjitha njësitë ekonomike të klasifikuara sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare si njësi ekonomike të vogla dhe të mesme mund të kryejnë auditimin nëpërmjet audituesve ligjorë apo shoqërive audituese.
Ndërsa, të gjitha njësitë ekonomike të klasifikuara të mëdha dhe NJEIP, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, detyrohen ta kryejnë auditimin vetëm nëpërmjet shoqërive audituese.
Për efekt të ligjit, njësitë me interes publik janë të gjitha njësitë ekonomike të listuara në bursë; bankat dhe degët e bankave të huaja, si dhe subjektet e tjera financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë; shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kolektive, shoqëritë administruese të fondeve të pensionit vullnetar; shoqëritë e tjera shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Audituesit dhe shoqëritë audituese
Aktualisht në Shqipëri ushtrojnë profesionin e audituesit 250 subjekte auditues dhe shoqëri audituese.
Audituesit e kanë të ndaluar të kryejnë shërbime jo auditimi, të cilat janë shërbimet e konsulencës tatimore që lidhen me përgatitjen e deklaratave tatimore; llogaritjen e detyrimeve tatimore të listëpagesave; detyrimet doganore etj. Këto shërbime lejohen kur nuk kanë efekt të drejtpërdrejt apo kanë një efekt jo material në mënyrë të veçantë apo së bashku në pasqyrat financiare të audituara.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit detyrohen të ruajnë dokumentacionin e shërbimeve të realizuara prej tyre për 10 vite nga viti pasues i krijimit të tyre.
Kontrolli i sigurimit të cilësisë për audituesit dhe masat disiplinore
Kontrolli i sigurimit të cilësisë për audituesit ligjorë/shoqëritë e auditimit të angazhuar në auditimin e njësive me interes publik është periodik. Ky proces realizohet të paktën 1 herë në çdo tre vjet, bazuar në analizën e riskut, ndërsa për njësitë jo me interes publik, të paktën 1 herë në çdo gjashtë vjet, bazuar në analizën e riskut.
Për audituesit ligjorë me më pak se 5 vite eksperiencë në ushtrimin e profesionit, kontrolli i sigurimit të cilësisë bëhet çdo 2 vjet, deri sa të arrihet niveli i duhur i eksperiencës, bazuar në analizën e riskut.
Në përfundim të kontrollit Bordi i Mbikëqyrjes Publike nxjerr një vlerësim me notë për audituesit dhe lë rekomandimet për përmirësim sipas rastit. Bordi është gjithashtu organ kompentent për investigimin dhe marrjen e masave disiplinore për shoqëritë e auditimit, të cilat variojnë nga vërejtjet dhe rekomandimet, te gjobat në masën nga 0,5% deri në 3% të qarkullimit vjetor të periudhës raportuese paraardhëse në varësi të shkeljes; si dhe pezullimet e përkohshme dhe deri te fshirja e përhershme nga regjistri publik apo ndalimin e ushtrimit të profesionit të audituesit.
Ndërsa, ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të audituesve ligjorë, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë./ekofin.al
