Këshilli i Ministrave miratoi sot bonusin e pranverës për 730,430 pensionistë, i cili do të nisë të shpërndahet me pensionet e muajit shkurt.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, se bonusin e pranverës e përfitojnë në total 730,430 pensionistë. Nga këta, 520,443 pensionistë të cilët marrin më pak se 20,000 lekë në muaj do të përfitojnë bonus në vlerën e 10 mijë lekëve, ndërkohë që bonusin prej 5 mijë lekësh do ta përfitojnë 209,987 pensionistë që përfitojnë një pension pleqërie më të lartë se 20 mijë lekë në muaj.
Bonusi i pranverës do të nisë të shpërndahet më herët. Këtë e paralajmëroi dje Kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se pensionistët nuk kanë përse të presin pranverën apo periudhën zgjedhore, siç edhe akuzohet se po e bën për këtë arsye që të marrin atë që iu takon.
“Nuk do presë as ekonomia të mbarojë zgjedhjet dhe të marri atë që i takon. Pensionistët nuk do presin të mbarojmë zgjedhjet ne, do e marrin që në shkurt,” tha Rama.
Ndërkohë, sot, Ministri Gonxhja tha se bonusin e fundvitit për pensionistët e kanë marrë deri tani 597,578 pensionistë.
Gonxhja e cilësoi këtë hap, si një tjetër rikonfirmim të angazhimit të qeverisë, që të bëj të mundur që të ardhurat e siguruara nga rritja ekonomike 2024 të mund ta shpërndajë tek të gjithë, përfshirë kategorinë e pensionistëve që kanë një të ardhur mujore të ulët që vjen nga një tranzicion politik dhe skemë pensionesh që ndër vite nuk ka arritur që t’i japë një pension dinjitoz një pjese të konsiderueshme të pensionistëve. /ekofin.al
