Është zbardhur strategjia afatmesme e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2025-2027, ku parashtruar një sërë objektivash të bankës qendrore për periudhën në vazhdim. Në dokument theksohen disa nga objektivat kryesore, të ndara në 11 shtylla, me theks të posaçëm procesi i përafrimit të legjislacionit me direktivat evropiane, si edhe rritja e standardeve të mbikëqyrjes.
Kështu, për periudhën në vazhdim, BSh synon të miratojë një metodologji për zbatimin e shtesës së kapitalit për rrezikun sistemik.
Do të realizohet monitorimi dhe ndërlidhja e sektorit bankar me segmentet e tjera të sistemit financiar; dhe (ii) ekspozimeve të përbashkëta dhe të zgjeruara në produkte e në tregje të caktuara, për të identifikuar kanalet e përhapjes së rreziqeve dhe për të parandaluar kthimin e tyre në rreziqe sistemike.
Gjithashtu, një vëmendje e posaçme do t’i kushtohet ndikimeve klimatike dhe elementëve “green” në sektorin financiar. Për këtë, bazuar në strategji, do të synohet rritja e kapaciteteve në kuadër të analizës dhe përmirësimi i rezistencës të saj dhe të sektorit bankar ndaj efekteve të padëshiruara të ndryshimit të klimës, duke përfshirë: vlerësimin e informacionit dhe e të dhënave bazë që nevojiten për hartimin e një metodologjie të ushtrimit të provës së rezistencës ndaj ndikimit të ndryshimit të klimës për sektorin bankar; përcaktimin e kërkesave rregullative që përmirësojnë informacionin mbi ekspozimin e sektorit bankar ndaj efekteve të ndryshimit të klimës.
Sa i përket përafrimit të kuadrit mbikëqyrës me legjislacionin e BE-së, Banka e Shqipërisë synon adoptimin e standardeve – Bazel III – dhe akteve të tyre zbatuese në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të realizohet një përditësim i kuadrit për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe kapitalin rregullator, sa i përket rrezikut të kredisë, rrezikut të tregut dhe rrezikut operacional, si dhe rrezikut të normës së interesit në librin e bankës.
Dokumenti gjithashtu ka si objektiv rishikimin e kërkesave për procesin e vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit në kuadër të procesit të brendshëm të mjaftueshmërisë së likuiditetit për bankat; − Përditësimi i kuadrit rregullator për mbikëqyrjen e rrezikut operacional, rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe atij kibernetik.
Strategjia 2025-2027 e Bankës së Shqipërisë përmban edhe një sërë objektivash të tjera, me fusha specifike, si rritja e sigurisë kibernetike, përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve, rritja e transparencës dhe komunikimit me publikun, etj. /ekofin.al
