Agjencia e Trajtimit të Pronave ka shpërndarë një fond prej mbi 3 miliardë Lekë si kompensim financiar kryesisht për pronarët e tokave të prekura nga ndërtimet informale.
ATP njofton se ka përfunduar procesi për 5320 kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës së përgjithshme të miratuar me VKM-të përkatëse.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, si edhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Me përfundimin e procesit, ATP ka njoftuar personat e interesuar se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë të disponueshme në llogaritë e tyre bankare gjatë ditëve në vijim. /ekofin.al
