Viti 2025 ka nisur me të paktën 4530 vende të lira pune, në Portalin Kombëtar të Punësimit, puna.gov.al. Faqja përmban informacion të detajuar në lidhje me secilën thirrje për punësim.
Sipërmarrjet e hoteleri-turizmit, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.
Tashmë çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes “puna.gov.al”.
Edhe punëdhënësit mund të futen në këtë portal dhe të publikojnë vendet e lira të punës, si dhe të lidhen me punëkërkuesit.
Aksesi në platformë realizohet duke vendosur të njëjtat kredenciale si në portalin “e-Albania”.
Referuar shifrave më të fundit të disponueshme nga INSTAT, papunësia në tremujorin e tretë të vitit 2024 zbriti në 10.7%, por përsëri ajo mbetet e lartë, kryesisht në moshat e reja.

