Në takimin e fundvitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pasi bëri një përmbledhje të ecurisë së sektorit bankar gjatë 2024, vuri theksin te disa nga objektivat për vitin e ardhshëm. Ndër to, ai përmendi nevojën për të promovuar më shumë përdorimin e monedhës vendase.
“Intensifikimi i përpjekjeve për nxitjen e përdorimit të monedhës Lek për depozitat dhe huatë do të reduktonte varësinë nga monedhat e huaja dhe ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, si dhe do të nxiste efektivitetin e politikës monetare në vend,” tha ai.
Gjithashtu kërkoi që t’i jepet më shumë fokus kredidhënies për biznesin e vogël dhe të mesëm.
“Penetrimi i kredisë: pavarësisht ritmeve të rritjes së kredidhënies, kredia për sektorin privat është relativisht e ulët në krahasim me vendet homologe të rajonit, gjë që tregon potencial të pashfrytëzuar në mbështetjen e bizneseve dhe individëve. Në këtë kuadër dhe duke marrë në konsideratë specifikat e ekonomisë shqiptare, rëndësi të veçantë merr sektori i biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, si segmenti kryesor i bizneseve aktive në Shqipëri,” theksoi Sejko.
Gjithashtu, ai kërkoi t’i kushtohet vëmendje të shtuar monitorimit të kredive me probleme, edhe pse niveli i tyre këtë vit zbriti në minimumin historik.
“Rritja e shpejtë e kredisë e vërejtur gjatë muajve të fundit, përbën një rrezik potencial për cilësinë e kredisë në të ardhmen. Megjithë nivelin e ulët aktual të kredive me probleme, bankat duhet të mbajnë në vëmendje uljen e mëtejshme të huave të klasifikuara me probleme dhe të sigurojnë vlerësime rigoroze të rrezikut të kredisë në portofolet e tyre,” deklaroi Guvernatori.
Një tjetër çështje që kërkon angazhim më të madh nga sektori bankar, sipas tij, është përfshirja e kufizuar financiare dhe gjithashtu vijimi i modernizimit të proceseve dhe digjitalizimit. /ekofin.al
