Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit më tej në 2.4% në nëntor. Në tetor, ky indeks arriti në 2.3%. Indeksi synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian.
Për nëntorin, norma zyrtare e inflacionit në Shqipëri rezultoi 2%. Sipas INSTAT, rritja më e madhe e çmimeve prej 4,1 % vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 % dhe më tej kategoritë e tjera.
Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga INSTAT, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, indeksi i harmonizuar i çmimeve, sipas metodës së Eurostat, vijon të jetë nën normën e inflacionit të BE-së, që rezultoi 2.5% për nëntorin. /ekofin.al


