Prej disa ditësh, qytetarët nuk mund të nxjerrin certifikata të gjendjes civile ose të kryejnë veprime të tjera në E-Albania që kanë të bëjnë me ndërlidhjen e të dhënave të gjendjes civile. Kjo pasi ndërlidhja e DPGJC me sistemin e AKSHI-t nuk funksionon dhe të dhënat nuk ngarkohen automatikisht. Gjithashtu sistemi nuk të jep mundësi për vendosjen e të dhënave manualisht.
Në këto kushte, Qeveria përmes një vendimi të marrë në mbledhjen e fundit javën e kaluar ka hapur rrugën që Zyrat e Gjendjes Civile do të duhet të plotësojnë manualisht aktet e gjendjes civile për qytetarët shqiptarë për një kohë të pacaktuar, derisa shërbimi përmes portalit e-albania të kthehet në normalitet.
Vendimi i qeverisë i publikuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë kthen shërbimin e lëshimit të akteve të gjendjes civile në mënyrën e mëparshme, deri në bërjen sërish funksionale të shërbimit përmes e-albania.
Më konkretisht, certifikatat, të ofruara përmes shërbimit publik elektronik, në përputhje me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, lëshohen me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, sipas modeleve në version elektronik, bashkëlidhur këtij vendimi si pjesë përbërëse e tij.
Sa u përket kërkesave dhe procedurat administrative, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, janë në proces shqyrtimi nga shërbimi i gjendjes civile, përfshirë edhe atë pranë konsullatave dhe/ose ambasadave, zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të këtij vendimi, në kohën e paraqitjes së tyre.
Procedura për lëshimin e dokumenteve bazë, që mbahen e lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile, do të vijojë të kryhet sipas mënyrës ekzistuese, deri në momentin e krijimit të infrastrukturës teknike të nevojshme për ofrimin e shërbimit nëpërmjet portalit “e-Albania”, thuhet në vendimin e publikuar.
Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit janë institucionet që ngarkohen për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Kjo nënkupton se pritet një udhëzim i këtyre institucioneve për mënyrën se si do të zbatohet konkretisht vendimi i Këshillit të Ministrave dhe si do të marrin shërbimin e nevojshëm qytetarët shqiptarë. /ekofin.al
