Rritja e fortë e aeroportit të Rinasit, që në fillim të dhjetorit të këtij viti tejkaloi shifrën rekord të 10 milionë pasagjerëve, ka vënë në lëvizje qeveritë e vendeve të tjera të rajonit, si Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi, pasi megjithë rritjen, aeroportet e këtyre vendeve kanë mbetur shumë mbrapa.
Përpara 5 vitesh, shumë nga qytetarët e Shqipërisë udhëtonin me makinë në Kosovë ose në Podgoricë për të fluturuar nga aeroportet e këtyre shteteve. Kjo për shkak se ato kishin shumë më tepër fluturime direkte se Rinasi dhe se çmimet ishin disa herë më të ulëta sesa ato që ofronin kryesisht linjat tradicionale nga Shqipëria.
Në vitet e fundit, sidomos në vitin 2023 dhe tashmë edhe përgjatë këtij viti, trendi është përmbysur dhe të gjithë po vijnë të fluturojnë nga Rinasi. Këtë e dëshmojnë edhe shifrat, ku vitin e kaluar, ishin të shumtë sidomos qytetarët e Malit të Zi dhe të Kosovës që kanë përdorur Rinasin për fluturime.
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, të analizuara nga ekofin.al, në periudhën janar-shtator 2024, numri i pasagjerëve nga dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, Shkupi dhe Ohri, arriti në 2.4 milionë pasagjerë, me një rritje prej vetëm 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përgjatë gjithë vitit të kaluar, këto dy aeroporte procesuan 3.1 milionë pasagjerë. Synimi i autoriteve maqedonase është për të arritur të paktën në 4 milionë pasagjerë gjatë këtij viti.
Ndërkohë, sa i përket Malit të Zi, parashikohet e autoriteteve atje janë që nga dy aeroportet, i Podgoricës dhe Tivatit, shifra e pasagjerëve për këtë vit të arrijë në 2.9 milionë, që do të ishte një rritje me 15% krahasur me vitin e kaluar.
Gjithsesi, këto shifra janë shumë larg atyre të Rinasit, i cili në fillim të dhjetorit, numëroi pasagjerin e 10 miliontë dhe tani do ta mbyllë vitin mbi këtë objektiv të vendosur.
Për t’iu përgjigjur shifrave në rritje të Rinasit, i kthyer tashmë në një aeroport ballkanik, Maqedonia e Veriut nisi një politikë agresive subvencionesh në shtator. Për periudhën 2025-2027, Qeveria ka vënë në dispozicion rreth 6 milionë Euro për linjat ajrore që do të diversifikojnë sa më shumë destinacionet, duke shtuar numrin e fluturimeve për pasagjerët. Për këtë, Qeveria do të paguajë 9 Euro për çdo pasagjer që fluturon nga Shkupi dhe 12 Euro për çdo pasagjer nga Ohri.
Fly Dubai, Wizz Air dhe Turkish Airlines janë linjat që iu përgjigjen pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Shkupit, duke njoftuar nisjen e fluturimeve dhe destinacioneve të reja, duke filluar nga marsi i vitit 2025. Në këtë mënyrë, nga Shkupi do të shtohen fluturimet me destinacion Dubain, Barcelonën, Lionin dhe Shtutgartin, ndërsa nga Ohri shtohen fluturimet në drejtim të Stambollit dhe Bazelit vitin e ardhshëm. Qeveria maqedonase synon që përmes programit të subvencioneve të shtojë të paktën 200 mijë pasagjerë në vit, por përsëri, shifrat mbeten ende shumë larg nga bumi i paparë që po përjeton Rinasi. /ekofin.al
