Edhe pse vendi ka shënuar rritje ekonomike, si edhe të ardhurat për frymë janë rritur, sidomos pas rishikimeve të fundit të bëra duke marrë në konsideratë rezultatet e Censit 2023, përsëri një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në kufijtë e varfërisë.
Instat publikoi sot të dhënat për vitin 2023, ku rezulton se 545.400 individë vlerësohen nën kufirin e rrezikut për të qënë të varfër. Edhe pse kjo shifër përbën ulje krahasuar me vitin 2022, përsëri paraqitet e lartë. Vlerësohet se 42% e familjeve shqiptare praktikisht rrezikohen nga varfëria. Në vitin 2022 ky tregues ishte 44.5%.
Në vitin 2023, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,7 %, duke pësuar një rënie prej 0,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2023 është vlerësuar me 270.565 lekë, në krahasim me 225.931 Lekë që ishte në vitin 2022.
Individët e grupmoshës 18-64 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, në vitin 2023, sipas vlerësimeve përbëjnë 9,3 %, kundrejt 10,4 % në vitin 2022, me një rënie prej 1,1 pikë përqindje.
Përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshira në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Ndikimi i përfitimeve sociale është i dukshëm nëse do të vlerësonim rrezikun për të qenë i varfër para dhe pas transfertave:
Në vitin 2023, 36,4 % e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse tek të ardhurat e disponueshme do të përjashtoheshin të gjitha përfitimet sociale (duke përfshirë edhe pensionet e pleqerisë/familjare). Nëse në nivelin e të ardhurave të disponueshme do të përfshiheshin pensionet e pleqërisë/familjare por jo përfitime të tjera sociale, rreziku për të qënë i varfër do të vlerësohej 23,3 %.
Trendi në zbritje vihet re në të tre grupmoshat, por një zbritje më të madhe kanë grupmoshat 18 64 vjeç ku rreziku për të qenë i varfër në vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, është zvogëluar me 1,0 pikë përqindje në këtë grupmoshë. Grupmosha mbi 65 vjeç ka pësuar një rënie të lehtë në vitin 2023 me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. /ekofin.al


