Qeveria po finalizon rishikimin e tretë të buxhetit të këtij viti, ndërkohë që brenda dhjetorit do të merret vendimi për shpërblimin e pranverës për pensionistët. Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi dje se shuma që do të marrin pensionistët do të vendoset këtë muaj me akt normativ. Mësohet se vlera e bonusit do të jetë më e lartë se 5 mijë lekë, ndërkohë që po vlerësohen si opsion edhe shifrat e bonusit të këtij fundviti 10-15 mijë lekë.
Ato që deri më tani janë thënë si premtime për pensionistët, qeveria ka vendosur t’i bëjë fakt, duke bërë ndryshime në buxhet në favor të kësaj kategorie. Ndërkohë që nuk ka përfunduar ende ndarja e bonusit të fundvitit, nuk do të pritet pranvera për të përcaktuar vlerën e bonusit të dytë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi dje në konferencë për shtyp se brenda këtij muaji qeveria do të dalë me vendim për shpërblimin e dytë, për të gjithë ata që trajtohen me pensione. Kjo, pas rishikimit të buxhetit për vitin 2024, në të cilin nuk ishte parashikuar në asnjë zë bonusi për këtë kategori.
“Rishikimi i buxhetit pritet të ndodhë gjatë fundit të këtij viti. Ky është një Akt Normativ shumë i rëndësishëm, pasi pritet të bëjmë një rivlerësim të ecurisë ekonomike, por ky akt është i rëndësishëm për ne, sepse me të do të përcaktojmë edhe bonusin e pranverës për pensionistët”, tha ministri.
Këtë muaj, mbi 724 mijë pensionistë kanë marrë ose presin një bonus në vlerën e 10 ose 15 mijë lekëve. Në kulmin e krizës së çmimeve, qeveria ka dhënë dy bonuse në pranverë dhe në dhjetor në vlerën e 5 mijë lekëve, ndërsa vlera e shpërblimit të pritshëm nuk dihet ende.
