Kreditimi i ekonomisë pësoi një ngadalësim në muajin korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për korrikun kishte vlerën e 22.4 miliardë lekëve, në rënie me 8.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për 7-mujorin e parë të vitit, kredia vazhdon të qëndrojë në nivelin më të lartë në tetë vitet e fundit, por me ritme më të ngadalësuara të rritjes. Për periudhën janar-korrik janë dhënë gjithsej 162 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 0.9% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Mendohet se në frenimin e kredisë ka ndikuar kursi i këmbimit, por gjithashtu edhe frenimi i veprimeve në tregun imobiliar, për shkak të problemeve të Kadastrës. Sipas bankave, por edhe vetë noterëve, moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral ka sjellë ndikim direkt në shitjen e tyre e për pasojë edhe në kreditë e reja.
Kredia për korrikun pësoi rënie, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për bizneset në muajin korrik kishte vlerën e 15.8 miliardë lekëve, 11% më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe bilanci progresiv i 7-mujorit është në rënie. Kompanitë private përfituan gjithsej 103.2 miliardë lekë kredi, me një rënie prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe kredia e re për individët në korrik shënoi një frenim për të dytin muaj radhazi. Kredia e re kishte vlerën e 6.55 miliardë lekëve, 2.2% më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Sidoqoftë, për 7-mujorin kredia e re ngelet në rritje të lehtë, me 1.7% më shumë krahasuar me një vit më parë.

