Tregu i pasurive të paluajtshme ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në dhjetëvjeçarin e fundit, veçanërisht me lulëzimin e ndërtimeve të reja.
Njëkohësisht çmimet në treg kanë pasur trajektore rritëse. Pas njohjes së rritjes de facto, qeveria, përmes udhëzimit nr. 1, datë 17.3.2023, miratoi metodologjinë që shërben për llogaritjen e çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave në treg, me qëllim përdorimin e tyre nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Metodologjia shërben për të vlerësuar, nëse në territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore është më ekonomike të ndërtohen banesa të reja apo të blihen nga tregu; për ta përdorur si nivel reference, në rastet kur vendosin të blejnë banesa në tregun e lirë, për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit.
Po ashtu, metodologjia shërben për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave dhe përllogaritjen e çmimeve mesatare brenda 10-ditëshit të parë të çdo katërmujori, duke filluar nga muaji tetor. Agjencia Shtetërore e Kadastrës i përcjell Drejtorisë së Përgjithshme të EKB-së të dhëna për të gjitha transaksionet e kryera nga regjistrimi i kontratave për titujt e pronësisë.
Çmimet e shitblerjes në treg të lirë merren për transaksionet e kryera për banesa shumë familjare të cilat janë të ndërtuara para viteve 1990 dhe pas viteve 1990; ndodhen në zona dhe nënzona kadastrale; janë me sipërfaqe të ndryshme, të ndara sipas strukturave: Garsoniere/Studio (G/S), Mansard (M), 1+1, 2+1 dhe 3+1.
Llogaritja e çmimeve mesatare kryhet nga EKB-ja, brenda muajit nëntor, për çdo transaksion të kryer, sipas zonave kadastrale, të çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe banese dhe pasqyrohet. EKB-ja përcjell menjëherë pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin tabelat e plotësuara.
Mesatarja e çmimeve të tregut për çdo zonë kadastrale llogaritet si mesatare aritmetike e të gjitha çmimeve për metër katror.
Krahasimisht me vitin 2016, kur edhe është bërë miratimi i fundit, vihet re një rritje e ndjeshme e e mesatares. Në Tiranë, mesatarja e çmimit të shitjes së banesave në tregun e lirë, është 124,316 lekë m2, nga 89,137 m2 në vitin 2016. Në Jug, mesatarja e çmimit për banesat në Bashkinë Sarandë është 88,050 lekë m2, nga 56,000 lekë për m2 në vitin 2016, në Vlorë nga 61,000 lekë për m2 në 2016 në 68,680 lekë për m2, ndërsa në Durrës 71, 157 lekë m2 nga 67, 500 lekë për m2 në vitin 2016.
Në ndryshim nga Tirana dhe jug, në bashkitë në veri të vendit, shifrat janë pothuajse të njëjta, me ndryshime të vogla.
Kështu në Bashkinë Shkodër mesatarja është 62,280 lekë për m2 nga 58,000 lekë për m2 në 2016, në Bashkinë Kukës nuk ka ndryshime, mesatarja mbetet 54, 000 lekë për m2, në Pukë nga 22,000 lekë për m2 në 2016, në 30,000 lekë për m2. Ndërkohë në Dibër nga 49,000 lekë për m2, në Krujë nga 48,500 lekë për m2 në 2016 në 49,200 lekë për m2 aktualisht.
Urdhri i ministrisë së Ekonomisë bazuar në Udhëzimin e qeverisë, tashmë në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare ngarkon për ndjekje dhe zbatim njësitë e vetëqeverisjes vendore.








