Në vitin 2024, përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nga individët në Shqipëri ka regjistruar një rritje të konsiderueshme, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Anketat për përdorimin e internetit dhe shërbimeve digjitale kanë treguar një përhapje të gjerë të teknologjisë në grup-moshën 16-74 vjeç, me 86,2% të individëve që përdorin internetin, një rritje prej 3,1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2023.
Përdorimi i internetit është shumë i përhapur, me 96,4% të individëve që e përdorin atë disa herë gjatë ditës, ndërsa telefonat inteligjent (smartphones) janë mjeti kryesor për hyrjen në internet (99,9%). Përdorimi i kompjuterëve dhe laptopëve është më i ulët, përkatësisht 29,2% dhe 28,5%. Ky trend tregon se pajisjet mobile po dominon përdorimin e internetit në Shqipëri.
Në tre muajt e fundit, aktivitetet më të realizuara online janë bankat elektronike (internet banking), me një rritje prej 3,3 pikë përqindje, si dhe aksesimi i të dhënave shëndetësore përmes platformës e-Albania, me një rritje prej 1,5 pikë përqindje. Gjithashtu, leximi i lajmeve online ka regjistruar një rritje prej 1,3 pikë përqindje, duke dëshmuar një përdorim gjithnjë e më të madh të internetit për informacion dhe shërbime të përditshme.
Për sa i përket e-qeverisjes, një tjetër sektor që ka parë një rritje të përdorimit është platforma digjitale e-Albania, ku 99,4% e individëve të grup-moshës 16-74 vjeç kanë krijuar një llogari. Rritje ka shënuar edhe përdorimi i shërbimeve publike online, ku 1,5% më shumë individë kanë aksesuar informacion dhe kanë shkarkuar formularë zyrtarë përmes platformave të internetit.

Blerjet online janë gjithashtu në rritje, me 42,4% të popullsisë që ka kryer blerje online në 12 muajt e fundit. Më së shumti, shqiptarët blejnë rroba, këpucë dhe aksesorë (90,3%), si dhe shërbime të dërgimit ushqimor nëpërmjet platformave online (59,7%).
Në përputhje me përdorimin e teknologjisë, aftësitë kompjuterike kanë shënuar gjithashtu përmirësime. Rritja më e madhe është regjistruar në aftësinë për të instaluar software dhe aplikacione, e cila ka u rritur me 1,9 pikë përqindje në krahasim me vitin 2023./Ekofin.al
