Përfaqësuesit e biznesit rikthejnë apelin e tyre për marrjen e masave për përshpjetimin e afateve të çështjeve gjyqësore, sidomos ato me natyrë administrative, që prekin direkt bizneset. Duke folur në tryezën për parandalimin e korrupsionit, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka theksoi se zgjatja e proceseve dhe mosdhënia në kohë e vendimeve, prej vitesh, po shkaktojnë problematika te bizneset.
“Ka procedura të sipërmarrjes private dhe të qytetarëve sepse çështjet e Gjykatës Administrative i krijon administrata publike në 90% të rasteve. Sot kemi çështje që mund të presin me 3 apo 5 vite të pashqyrtuara nga një shkallë apo një shkallë tjetër. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se kur filloi iniciativa për Gjykatën Administrative objektivi ishte që të kishte një afat minimal në shqyrtimin e çështjeve”, theksoi Jaka.
Ai shtoi se “nga ana tjetër duhet të bëjmë një analizë duke qenë se në pjesën më të madhe të rasteve është administrata publike prodhuese e gjithë këtyre çështjeve në Gjykatën Administrative dhe në shumicën e rasteve kur çështjet fitohen nga palët që janë kundërshtarë me administratën nuk ka asnjë masë, asnjë lloj reagimi për atë që ka krijuar gjithë këtë maratonë të zgjidhjes së problematikës në 7-8 vite që ka një kosto të jashtëzakonshme për sipërmarrjen, por ka edhe një kosto për administratën publike dhe buxhetin e shtetit”.
Ne, vijoi ai, duhet të inkurajojmë administratën publike të jetë në nivelin e duhur të integritetit për të marrë vendime sepse edhe mosveprimi është një problem tjetër.
“Në të gjithë komunikimet që ne kemi me institucionet qendrore kur ia shprehim këtë problematikë, është se nuk na lë KLSH. Administrata duhet të marrë përsipër veprimet e veta dhe nuk duhet të shtojë artificialisht rastet në gjykatë administrative,” theksoi kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë. /ekofin.al
