Shoqata Shqiptare e Bankave ka publikuar shifrat e ecurisë së sektorit bankar në 3-mujorin e dytë, ku konstatohet se fitimet e bankave tregtare kanë vijuar të rriten. Rezulton se fitimi progresiv neto në fund të gjashtëmujorit arriti në 13.6 miliardë lekë, në rritje me 5.7 miliardë lekë të tjera krahasuar me fundin e tremujorit të parë. Në vlerë absolute, fitimi i sektorit bankar ka prekur një rekord të ri historik për 6-mujorin e parë të vitit, me një rritje të lehtë prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga 11 banka që operojnë në tregun financiar shqiptar, 10 prej tyre rezultonin me fitim në fund të 6-mujorit të parë, ndërsa vetëm njëra prej tyre ka rezultuar me humbje.
Fitimin më të lartë e raportoi Raiffeisen Bank Albania, me 3.8 miliardë lekë, në rritje me 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vijon banka më e madhe në vend, BKT, me një fitim neto prej afro 3.6 miliardë lekëve, në rënie me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka OTP Albania ka raportuar një fitim prej 2.1 miliardë lekësh, në rritje me 40% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2022. Rritjen me të fortë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar e ka raportuar Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, me 1.6 miliardë Lekë, në rritje me 150% krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Renditjen e fitimeve e mbyllin, Tirana Bank, me 898 milionë lekë, Credins Bank, me 710 milionë lekë, Union Bank, me 640 milionë lekë, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 621 milionë lekë, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 364 milionë lekë dhe ProCredit Bank, me 142 milionë lekë.
E vetmja bankë që raporton rezultat me humbje është Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), në vlerën e 856 milionë lekëve.

