Projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës propozon disa koncepte risi si “marrëveshjet në oferta në procedurat e prokurimit publik”, të cilat shfaqen në format e ofertës së mbuluar, ofertës së përmbajtur dhe ofertës në rotacion ose ndarjes së tregut.
Gjithashtu shton një dispozitë të re “ftesa për marrëveshje të ndaluar” që përcakton ndalimin për një ndërmarrjeje të propozojë, të detyrojë, të motivojë ose në çfarëdo mënyre të ftojë një ndërmarrje tjetër për të marrë pjesë në një marrëveshje midis ndërmarrjeve ose në vendimet e grupimeve të ndërmarrjeve ose në praktika të bashkërenduara që synojnë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës.
Ndërsa koncepti i “killer acquisition” përfshin përqendrimet në të cilat konkurrentët në treg blejnë konkurrentë të rinj me qëllim ndërprerjen e projekteve të tyre inovative, duke eleminuar konkurrencën e ardhshme.
Në këtë kontekst, Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë përqendrimet e të gjitha atyre ndërmarrjeve, të cilat brenda një periudhe dyvjeçare nga momenti i lidhjes së marrëveshjes për bashkim, përftim kontrolli apo krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët, plotësojnë kriterin e kufirit të xhiros, megjithëse në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk përmbushnin kriteret për njoftim.
Ftesa për pjesëmarrje në marrëveshje të ndaluar, për subjektet tregtare gjobitet jo më shumë se 1 për qind të xhiros totale të vitit paraardhës financiar. Komisioni vendos gjoba në masën 2 deri në 10 për qind të xhiros totale të vitit financiar paraardhës për shkeljet e rënda.
Ndërsa mosbashkëpunimi me Autoritetin nga organet shtetërore publike për sigurimin e të dhënave dhe të provave të nevojshme përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në vlerën 50 000 lekë.
Pavarësisht gjobës së vendosur në bazë të neneve 73 dhe 74 të këtij ligji, Komisioni mund të vendosë gjoba në masën deri në 5 milionë lekë mbi individët, që kryejnë ose bashkëpunojnë në kryerjen e veprimeve që përbëjnë kundëravajtje administrative sipas neneve 73 pika 1 dhe 74 pika 1 të këtij ligji, që do të thotë japin të dhëna të paplota ose mashtruese ose japin të paplotë librat dhe regjistrat e tjerë.
Lehtësimi i plotë nga gjoba nuk do t’u jepet ndërmarrjeve që kanë ndërmarrë veprime për të detyruar ndërmarrjet e tjera për t’u bashkuar në një marrëveshje të ndaluar ose për të qëndruar në të.
Kur gjatë kryerjes së inspektimeve, konstatohen ose ka dyshime për ekzistencën e elementëve që mund të përbëjnë kundravajtje administrative ose vepër penale, Autoriteti referon rastin pranë organeve kompetente.
Autoriteti mund të kërkojë ndihmën e inspektorëve të organeve tatimore gjatë kryerjes së inspektimeve, si dhe kërkon ndihmën e Policisë së Shtetit, në rastet në të cilat duhet të sekuestrojnë objekte që kanë vlerën e provës materiale në hetim. /ekofin.al
