Ndryshimet e propozuara për konsultim publik për konkurrencën parashikojnë mbrojtje më të mirë të sekretit tregtar.
Ndërhyrjet e parashikuara synojnë të kenë një impakt pozitiv për tregjet, bizneset dhe konsumatorët. Ndërmarrjet, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, do të përfitojnë nga një mjedis më i drejtë dhe konkurrues dhe rritja e mundësive të hyrjes në treg, thuhet në relacion.
Për konsumatorët, këto ndryshime pritet të sjellin përfitime në formën e çmimeve më të ulëta, cilësisë më të lartë të produkteve dhe shërbimeve, si dhe aksesit më të madh në tregje më të diversifikuara dhe më të ndershme.
Projektligji nxit gjithashtu inovacionin.
Sa i përket përmirësimit të ruajtjes së sekretit tregtar, Anëtarët e Komisionit dhe të gjithë punonjësit e Autoritetit detyohen të ruajnë sekretin profesional dhe nuk u japin të dhëna konfidenciale, të siguruara gjatë kryerjes së detyrave të tyre, asnjë personi ose institucioni, me përjashtim të rasteve kur gjykata vendos se Autoriteti mund të ekspozojë kategoritë e mëposhtme të provave: informacionin e përpiluar nga një person fizik ose juridik posaçërisht për procedimet përpara Autoritetit të Konkurrencës, informacionin që Autoriteti ka hartuar dhe iu ka transmetuar palëve gjatë hetimeve të tij, marrëveshjet apo deklaratat nga të cilat palët janë tërhequr.
Në këtë kontekst, provat e gjendura në dosjet e Autoritetit të Konkurrencës do të ekspozohen vetëm me vendim përfundimtar të formës së prerë të një gjykate dhe vetëm në ato raste kur këto prova nuk mund të merren pranë një institucioni tjetër publik ose një pale tjetër të tretë me përpjekje të arsyeshme.
Dokumentet e brendshme të Autoritetit të Konkurrencës, korrespondenca me autoritetet e tjera të konkurrencës dhe ndërmjet autoritetit të konkurrencës dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit si dhe kërkesat e marrëveshjet për lehtësimin nga gjobat nuk do të zbulohen në asnjë moment.
Kjo vlen dhe pas mbarimit të detyrës. Për më tepër, publikimet e Autoritetit nuk duhet të përmbajnë të dhëna që përbëjnë sekret tregtar. Sekreti tregtar është gjithçka që është përcaktuar si sekret tregtar në nenin 2, pika 12 të këtij projektligji, ose gjithçka që është përcaktuar si sekret tregtar nga ndërmarrja nëse pranohet si i tillë nga Autoriteti. Gjithashtu, përcaktohen kriteret që Autoriteti merr parasysh, por jo vetëm, për të vlerësuar nëse informacioni mund të përbëjë sekret tregtar, dhe kur nuk është sekret tregtar në kuptim të këtij ligji.
Kjo do të thotë, informacion që nuk është gjerësisht i njohur, ka vlerë tregtare, sepse, përsa kohë nuk njihet nga të tjerët, i siguron ndërmarrjes një avantazh konkurrencial, si dhe u është nënshtruar hapave të arsyeshëm për ruajtjen e informacionit. /ekofin.al
