Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin që ka të bëjë me trajtimin e pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, afat i cili përfundon më 31.12.2024. Agjencia e ka të pamundur përmbylljen e procesit, kjo për shkak të sërë faktorësh objektivë të brendshëm dhe të jashtëm, thuhet në relacion.
Tashmë propozohet rihapja e afatit të shqyrtimit të kërkesave në rrugë administrative nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronës deri në vitin 2027 dhe shtyrja e afatit për shpërndarjen e vlerës së kompensimit financiar deri në vitin 2028.
Sipas relacionit, këto ndryshime do t’u japim mundësi qytetarëve që kërkesat e tyre të shqyrtohen në rrugë administrative nga ATP në një kohë më të shkurtër, krahasuar me kohën që do të shpenzohej në rast të shqyrtimit të tyre nga juridiksioni gjyqësor. Gjithashtu bëhet e mundur përcaktimi i një afati objektiv dhe të arsyeshëm, bazuar në evidenca statistikore, për përfundimin e procesit të kompensimit të pronave.
Agjencia e Trajtimit të Pronave filloi hetimin administrativ për shqyrtimin e 7000 dosjeve të patrajtuara për njohje pronësie, për të cilat ka kryer procedurat e njoftimit të subjekteve për plotësim dokumentacioni. Aktualisht, rezulton se ATP ka në proces shqyrtimi 5862 dosje dhe 1197 praktika, në total 7059, nga të cilat 705 dosje/praktika të rikthyera për trajtim.
Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave.
Kohëzgjatja e trajtimit të një dosje/praktike duke marrë parasysh volumin e dokumentacionit të administruar, kompleksitetin e çështjes, njoftimin e palëve, marrjen e informacionit nga palët e treta apo verifikimin në terren vlerësohet se koha për marrjen e një vendimi është nga 3 deri në 6 muaj për dosje, theksohet në dokument.
Ky afat nuk merr në konsideratë ato situata, kur plotësimi i dokumentacionit nga ana e subjektit do të kryhet në rrugë gjyqësore, pasi në këto raste procedimi administrativ pezullohet deri në zgjidhjen e çështjes paraprake nga ana e gjykatës, ku në mjaft raste, koha e gjykimit ka tejkaluar edhe afatin e juridiksionit administrativ të ATP-së.
Brenda datës 31.12.2024, ATP mund të arrijë objektivin maksimalisht rreth 700 vendime ose 10% të dosjeve të patrajtuara, ndaj është e nevojshme ndërhyrja me një projektligj që vendos afatet e reja.
Aktualisht, sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026. Me shtyrjen e afatit mbetet i njëjti fond i shpërndarë në 4 vite, duke rishikuar shpërndarjen e vlerës së mbetur të paalokuar, por pa krijuar efekte financiare në buxhetin e shtetit./ekofin.al
