Strukturat kriminale serbe dhe terroristët me lidhje politike direkte në Beograd, kanë orkestruar mbrëmjen e djeshme një sulm që nuk ka asnjë dallim nga ajo që po bën Rusia në Ukrainë.
Terroristët serbë kanë hedhur në erë me sasi të mëdha eksplozivi kanalin e Ibër Lepencit.
Dëmtimet në rrjet janë të mëdha, pasi nga kanali kryesor i Ibër Lepencit furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u, për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Kryeministri Albin Kurti është detyruar të mbledhë pas mesnate kabinetin qeveritar në Kryeministri, edhe në vazhdën e sulmeve të tjera që kanë ndodhur më herët gjatë ditës së djeshme, por edhe në ditët e kaluara, duke bërë direkt përgjegjëse Serbinë.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet e njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit, dhe zbardhjen e plotë të rastit”, shkruan ndër të tjera Albin Kurti.
Ky sulm me sasi të mëdha eksplozivi në një nga nyjet kryesore për furnizim me ujë dhe energji elektrike të Kosovës ka tipare të qarta kriminale dhe terroriste, të cilat synojnë direkt gjunjëzimin e shtetit shqiptar.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe, ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, kryeqytetit, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, shkruan kryeministri Albin Kurti.
Në një reagim, të dytë po në orët e para të mëngjesit, ai falenderon punëtorët për atë që e quan punë vetëmohuese për riparimin e dëmit.
“Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve tona të shtetit po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe vetëmohuese në sanimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i mbrëmshëm. I falënderoj punëtorët e Ibër Lepencit, KEK-ut, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, KRU Prishtinës dhe Policisë së Kosovës, për zellin dhe profesionalizmin që po shfaqin orë pas ore”, thotë ai.
