Duke ndjekur modelet e aplikuara nga një sërë vendesh evropiane, Shqipëria do të ngrejë Zyrën e Rikuperimit të Aseteve. Një gjë e tillë pritet të realizohet brenda qershorit të vitit të ardhshëm, siç është parashikuar në dokumentin “Agjenda e reformave 2024-2027” dhe do të shërbejë si Njësi Kombëtare Koordinuese dhe pikë kontakti rajonale/ndërkombëtare.
Gjithashtu, me ngritjen e kësaj strukture synohet të aplikohet për t’u anëtarësuar në Rrjetin Evropian të Zyrave të Rikuperimit të Aseteve ose në platformat rajonale /ndërkombëtare të rikuperimit deri dhjetor 2025.
Përmes ngritjes së kësaj strukture, synohet gjithashtu që të paktën 50% e numrit dhe vlerës së pasurive të konfiskuara të ripërdoren (përfshi ripërdorimin social) brenda 6 muajve nga konfiskimi deri në dhjetor 2026.
Sipas të dhënave zyrtare deri më 31 Dhjetor 2023 janë konfiskuar 85 asete apo pasuri të paluajtshme pa barrë ligjore financiare.
Sipas dokumentit, Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA), mund të jetë një strukturë e posaçme që do të ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por një alternativë mund të jetë integrimi i saj me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. ZRA pritet të jetë përgjegjëse për procesin e gjurmimit dhe identifikimit të të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një vepër penale ose veprimtari kriminale, të cilat mund ti nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente.
Për sa i përket bazës ligjore, Shqipëria ka miratuar “ligjin antimafia”, i cili përmban dispozita për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara. Fitimet nga shitja e pasurive të konfiskuara, vlerat monetare të konfiskuara dhe të ardhurat e tjera kontribuojnë në krijimin e “fondit të konfiskimit”, një pjesë e të cilit përcaktohet si “fondi posaçëm”.
“Fondi i posaçëm” shërben për qëllime të ndryshme, përfshirë dhënien e ndihmës për viktimat e krimit të organizuar dhe trafikimit, si dhe promovimin e programeve sociale për këto kategori dhe kompensimin e viktimave sipas përcaktimeve në vendimet gjyqësore.
