Është zbardhur në Fletoren Zyrtare vendimi për bonusin e fundvitit.
Do të përfitojnë bonusin prej 15 000 lekësh kategoritë e pensionistëve që marrin pension mujor deri në 20,000 lekë, por edhe kategoritë e tjera që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës, veteranët e LANÇ-it, ata që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në masën e pensionit 20 000 lekë, si dhe kategoritë e atyre që përfitojnë trajtim të veçantë financiare deri në masën 20,000 mijë.
Ndërsa shpërblimin, në masën 10 000 lekë, do ta përfitojnë kategoritë e personave që marrin pension pleqërie mbi 20 000 lekë, personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, ata që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm mbi masën 20,000 lekë.
Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025.
Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar sipas pikave 1 e 2 të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.12.2024, duke përfshirë edhe këtë datë dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
Vendimi për bonusin i ka kushtuar qeverisë thuajse 10 miliardë lekë, por kjo e fundit është dakordësuar për të marrë përsipër vetëm një të tretën, pasi 3.6 miliardë do të përballohen nga fondi i kontigjencës për bonusin e pensionistëve, 2.4 miliardë të tjera do të merren gjithashtu nga arka e Sigurimeve Shoqërore, nga fondi për indeksimin e pensioneve dhe 3.7 miliardë lekë do të derdhë vetë qeveria nga buxheti i planifikuar për Sigurimet Shoqërore për vitin 2024.
Shpërndarja dhe pagesat do të realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë.
