Shumica e eksporteve kryesore të Shqipërisë drejt BE-së, duke përfshirë veshje, lëkurë, hekur dhe çelik, tregojnë intensitet të ulët të karbonit, përveç produkteve minerale jometalike, thuhet në raportin e Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin.
Në vitin 2022, eksportet e veshjeve shënuan rreth 600 milionë dollarë nga totali i eksporteve me vlerë 3.8 miliardë dollarë. Intensiteti i emetimit të gazeve serrë të eksporteve shqiptare të veshjeve regjistrohet 0,5 kg/USD. Nga 20 sektorët më të rëndësishëm të eksportit, produktet e prodhuara nga mineralet jometalike (7.2 kg/ USD) janë gazet më intensive, të ndjekur nga produktet kimike dhe produktet e naftës dhe qymyrit.
Për hekurin dhe çelikun, Kina ka një intensitet emetimi 3.4 kg/usd, ndërsa Shqipëria ka 1.2 kg/usd. Për elektricitetin, Gjermania ka një intensitet emetimi prej 4.5 kg/usd, ndërsa Shqipëria arrin 10 për qind të intensitetit të emetimeve të Gjermanisë, kryesisht falë faktit se Shqipëria ka një bollëk hidrocentralesh.
Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit të BE-së (CBAM) mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në konkurrueshmërinë e vendeve në zhvillim që kryesisht i eksportojnë këto mallra në BE. CBAM do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, pas një periudhe tranzicioni që filloi në tetor 2023 dhe mbulon hekurin dhe çelikun, aluminin, çimenton, plehrat dhe energjinë elektrike. Produktet pajisen me certifikata që raportojnë emetimet direkte dhe indirekte të karbonit të këtyre mallrave.
Shqipëria rezulton se fiton konkurrencë eksporti lidhur me treguesin CBAM në tregun e BE-së për energjinë elektrike për shkak të hidrocentraleve. Kjo i jep vendit një përparësi në dekarbonizimin e sektorit të saj energjetik, por gjithashtu e bën atë shumë të prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndërsa industria e çimentos në Shqipëri përbën edhe intensitetin më të lartë të emetimeve të karbonit me 5.824 kg/usd. Kjo industri duhet të zëvendësojë lëndët djegëse fosile me lëndë djegëse alternative.
Strategjia Shqiptare për Ndryshimet Klimatike dhe Plani i Veprimit (2019) përmend përdorimin e materialeve dhe karburanteve alternative, por ende nuk ka burime të qëndrueshme për të furnizuar këtë industri. Ndaj, nëse qeveria do të lejonte të importoheshin këto materiale, fokusi i industrisë së çimentos do të ishte investimi në infrastrukturën e nevojshme për të zëvendësuar deri në 60% të lëndëve djegëse fosile në afat të shkurtër. Kjo patjetër do të kontribuonte në një reduktim të ndjeshëm në emetimet e karbonit./ekofin.al
