Shqipëria ka treguar vëmendje të shtuar ndaj përshtatjes dhe zbutjes së ndryshimeve klimatike nëpërmjet legjislacionit, por zbatimi i tyre është i dobët, thuhet në raportin e Bankës Botërore të publikuar sot. Aftësia e planifikimit të Shqipërisë është pak më e mirë se mesatarja e strukturave organizative të Ballkanit Perëndimor për ndryshimet klimatike, por mungon koordinimi dhe kapaciteti.
Ndër vendet evropiane, Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë dhe ekspozimin ndaj tërmeteve, përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe zjarreve, të cilat kanë prekur 95 për qind të bashkive shqiptare në dy dekadat e fundit.
Shqipëria do të duhet të investojë 6 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për të mbrojtur njerëzit dhe pronën nga ndikimet e dëmshme dhe të përshkallëzuara të ndryshimeve klimatike, thuhet në raport.
Kjo paketë fillestare gjithëpërfshirëse e investimeve të përshtatjes do të kushtonte ekuivalente me rreth 0.6–1 për qind e PBB-së në vit deri në vitin 2050. Sipas raportit të BB-së, nëse nuk ndërmerren veprime, dëmet e lidhura me klimën mund t’i kushtojnë vendit 7% të PBB-së së tij.
Ndërsa, sa i përket objektivit për zero emetime deri në vitin 2050, Shqipëria do të duhet të investojë një shtesë 200 milionë dollarë amerikanë deri në vitin 2030 dhe 5.3 miliardë dollarë deri në vitin 2050 në systemin e energjisë në të gjithë ekonominë, ekuivalente me rreth 2.5 për qind të PBB-së në vit mesatarisht deri 2050. Pjesa më e madhe e këtij investimi do të shkonte në sektorin e transportit.
Ndikimi i investimeve të dekarbonizimit në prodhimin e brendshëm do të ishte modest në krahasim me ulje të ndjeshme të emetimeve që do të sillte ky investim, pasi PBB për frymë do të ishte vetëm 0.04 për qind më e ulët në vitin 2050.
Tranzicioni i gjelbër do të kërkojë rikualifikim të konsiderueshëm në Shqipëri, përtej vetëm sektorëve me ndotje të lartë, me 9.9 për qind të fuqisë punëtore që kërkon përmirësim ose rikualifikim në afat të mesëm. Kjo do të kërkojë një reformë afatgjatë të sistemeve të arsimit dhe trajnimit për të pajisur popullatën me aftësi që do t’i nevojiten për tranzicionin e gjelbër në të ardhmen./ekofin.al

