Viti 2022 dhe muajt e parë të vitit 2023 nuk kanë qënë aspak të lehtë për ekonomitë familjare, por edhe për një pjesë në bizneseve. Por për bankat tregtare muajt e fundit mund të konsiderohen si muaj të artë. Këtë e dëshmojmë edhe shifrat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ku referuar dy treguesve kryesorë që masin performancën dhe rezultatin e tyre financiar, kthimin nga kapitali (ROE) dhe kthimin nga aktivet (ROA), për muajin maj, ka një dyfishim të tyre, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kështu, për maj 2023 kthimi nga kapitali për 11 bankat që operojnë aktualisht në tregun bankat shqiptar rezulton në masën 15.07%, me një rritje prej 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur rezultonte 7.54%. Në të njëjtën linjë rezulton të jetë dhe treguesi tjetër, kthimi nga aktivet, i cili i referohet edhe fitimit neto të bankave para taksave, që është rritur në 1.74%, nga 0.85% që ishte në maj të vitit 2022.

Edhe pse zhvillimet e tregjeve financiare ndërkombëtare, ndikuar edhe nga konflikti Rusi-Ukrainë, si edhe rritja e fortë e normave të interesit, apo luhatjet në Bursa, sollën në disa raste goditje për një pjesë të sistemit bankar, shoqëruar edhe me disa falimentime bankash, një gjë e tillë nuk është ndjerë aspak në Shqipëri, madje në vendin tonë rezulton që bankat tregtare të kenë rritur fitimet.
I vetmi tregues i rëndësishëm i shëndetit financiar të bankave për muajin maj, që ka njohur një përkeqësim të lehtë, është ai i kredive me probleme, në masën 5.23%, me një rritje prej 0.05% krahasuar me një muaj më parë, por përsëri nën kontroll dhe në rënie krahasuar me një vit më parë. Rritja e këtij treguesi vlerësohet si deri diku i pritshëm nga ekspertët, për shkak të vështirësive që po hasin qoftë ekonomitë familjare, por edhe një pjesë e bizneseve, si pasojë e rritjes së madhe të çmimeve, por edhe kostove. /ekofin.al


