Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi në fund të muajit të kaluar se “aktualisht, administrata po bën identifikimin e bizneseve që nuk deklarojnë ose nëndeklarojnë pagat dhe do të vijojë deri në 20 nëntor me njotimet përkatëse për t’u vetëkorigjuar. Nga data 21 nëntor deri 30 nëntor do të evidentohen të gjitha bizneset që nuk kanë korrigjuar situatën pas njoftimit tonë dhe do të nisë inspektimi në terren tek të gjitha subjektet.”
Në këtë mënyrë, e sotmja është dita e fundit për të gjitha bizneset për t’u vetëkorigjuar, më tej, të gjitha subjektet me risk për informalitet në tregun e pagave, do t’i nënshkrohen kontrolleve të detajuara tatimore.
Tatimet njoftuan në tetor se si rezultat i këshillimit, 9 mijë tatimpagues reaguan pozitivisht, duke bërë reflektimet përkatëse në listëpagesa dhe në këtë mënyrë fondi i pagave u rrit me 1.25 miliardë lekë.
Por në atë rast, numri i tatimpaguesve që nuk kishin ndërmarrë asnjë hap ishte mbi 37 mijë, të cilët nëse nuk ka vepruar deri sot me vetëkorigjim, nesër e në vazhdim mund të përfundojnë në sitën e tatimeve e të përballet edhe me masa administrative nëse do të gjenden me shkelje.
Tatimet njoftuan gjithashtu se gjatë muajit tetor kanë realizuar të mbledhin më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, ose 6% më shumë sesa plani. /ekofin.al
