Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të zbresë këtë të martë në “Air Albania”, për të luajtur ndeshjen e fundit të fazës së Ligës, në Ligën e Kombeve.
Ndërsa jemi në prag të takimit me Ukrainën, që nis në orën 20:45 të martën, Policia e Shtetit bën me dije masat që do të merren dhe rrugët që do të bllokohen, për të garantuar sigurinë publike. Policia bën me dije se do të ketë kontrolle të hollësishme të tifozëve për sende të ndaluara.
“Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët”, -theksohet fillimisht.
Më tej, shtohet se për mbarëvatjen e këtij aktiviteti do të ketë bllokim të disa rrugëve duke nisur nga ora 15:00 të ditës së martë.
“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 19 nëntor 2024, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit”-shtohet në njoftim.
Shqipëri-Ukrainë luhet këtë të martë duke nisur nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”, me “kuqezinjtë” që pas kësaj sfide do të mësojnë verdiktin e tyre të fundit pas fazës së Ligës në Ligën e Kombeve.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme dhe të detajuara masash, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së Kombëtares, në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, konkretisht ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Ukrainë, më datë 19.11.2024.
Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Ukrainë konsistojnë te:
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Ukrainës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 19 nëntor 2024, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
