Rënia e normave të interesit po i bën gjithnjë e më shumë tërheqëse kreditë në Lekë për qytetarët, por edhe për bizneset. Gjithashtu, edhe interesat e kredive në valutë kanë shënuar rënie, ndikuar nga ulja e normave bazë të interesit nga BQE, por edhe nga Federal Reserve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, interesat e kredisë së re në Lekë shënuan ulje të mëtejshme në tremujorin e tretë të vitit. Interesat e kredive hipotekare e konsumatore filluan të bien që gjatë tremujorit të dytë të vitit dhe, pas reflektimit të uljes së normës bazë, gjenden në nivele më të ulëta se një vit më parë.
Interesi për kreditë hipotekare shënoi mesatarisht 3.9% në tremujorin e tretë, nga 4.1% dhe 4.5% që ishte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe të parë të vitit. Interesi i kredisë konsumatore është ulur gjithashtu në 8.8%, nga 9.5% dhe 9.7% që ishte në dy tremujorët paraardhës.
Në rënie janë shfaqur edhe interesat e kredive dhënë biznesit. Norma mesatare rezultoi 6.5% në tremujorin e tretë, nga 6.8% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Analiza e interesit të kredisë sipas shumës së lëvruar evidenton se kahun rënës të interesave në muajt e fundit e ka përcaktuar kategoria e kredive mbi 35 mln lekë, ndërsa interesi i kredive deri në 35 mln lekë, të cilat përfaqësojnë kryesisht financimin për bizneset e vogla, ka regjistruar rënie të vogla.
Niveli aktual i interesit mesatar të kredive për biznese është i njëjtë me atë të para një viti, kur norma bazë dhe yield-et e letrave me vlerë ishin gjithashtu në të njëjtat nivele.
Normat e interesit për kreditë në Euro kanë rënë prej muajit gusht, duke ndjekur drejtimin e normës bazë të BQE-së. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset shënoi 6.2% në tremujorin e tretë, nga 7.0% që ishte në dy tremujorët e parë të vitit. Ndërkohë, interesi mesatar i kredisë hipotekare në euro për individët mbetet ende i lartë. Në këtë tremujor, ai shënoi një reduktim në 5.7%, nga 5.8% që ishte në tremujorin paraardhës. Diferenca e interesave të kredisë midis Lekut dhe Euros ka kaluar në territor pozitiv për bizneset, ndërsa mbetet negative dhe është thelluar më tej për financimin e blerjes së banesave, si rrjedhojë e uljes së shpejtë të interesit në Lek. /ekofin.al
