Ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha në Shqipëri, kanë pasur një ecuri të mirë të shitjeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, megjithatë të pashmangshme për marrjen e një kredie.
Kjo është gjetja e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në të cilin morën pjesë 1355 ndërmarrje, të shpërndara në 12 qarqet e vendit. Pjesa kryesore e këtyre ndërmarrjeve (rreth 84%), janë përqendruar kryesisht në 5 qarqe, përkatësisht në: Tiranë (rreth 53%), Durrës (rreth 16%), Fier (rreth 7%), Shkodër (rreth 5%) dhe Vlorë (rreth 4%).
Megjithëse 94 % e ndërmarrjeve kanë raportuar fitim gjatë periudhës, për ndërmarrjet e vogla ka shënuar rënie, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha edhe pse në rritje, rezultatet kanë treguar ngadalësim gradual gjatë dy viteve të fundit.
Sinjalet vijojnë të jenë optimiste lidhur me zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por paraqesin ngushtim për grupin e ndërmarrjeve të mëdha.
Gjatë 6-mujorit, rreth 57% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve (rreth 66% e ndërmarrjeve të vogla, 57% e ndërmarrjeve të mesme dhe 54% e ndërmarrjeve të mëdha), duke shënuar rënie për të tri kategoritë e ndërmarrjeve.
Rreth 37% e totalit të ndërmarrjeve kanë deklaruar se kanë aktualisht hua për të paguar. Kjo peshë ka shënuar një rritje me 1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rënie me 1 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Huamarrja ka rezultuar në rritje tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por në rënie tek ato të mëdha, ndërsa sipas sektorëve më e lartë në sektorin e ndërtimit (46% e totalit të sektorit), ndjekur nga sektori i tregtisë (43% e totalit të sektorit) dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve (27%). Me përjashtim të sektorit të tregtisë, të tre sektorët e tjerë rezultojnë të kenë rritje të peshës së ndërmarrjeve huamarrëse krahasuar me periudhën e kaluar.
Sipas vrojtimit, për rreth 81 % të ndërmarrjeve vlera totale e huas rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të tyre, ndërsa për 12 % të ndërmarrjeve, vlera është pothuajse e njëjtë me vlerën e kapitalit.
Situata paraqitet më sfiduese për 7% të ndërmarrjeve, të cilat kanë një hua që tejkalon vlerën e kapitalit, duke rezultuar kështu në një raport mesatar hua/kapital prej 78%. Ky raport ka rezultuar në rritje krahasuar me periudhën paraardhëse, veçanërisht në rastin e ndërmarrjeve të mesme, ku rreth 21% e tyre shprehen se huaja është e barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit./ekofin.al
