Thuajse 1 në 4 familje shqiptare kanë të paktën një kredi për të paguar. Ky është një nga rezultatet e vrojtimit të realizuar nga Banka e Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të këtij viti, me gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve shqiptare, me një kampion prej 1200 familjesh, ku 1055 prej tyre morën pjesë në procesin e intervistimit.
Rreth 24% e familjeve deklaruan se kanë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës së kësaj huaje. Kjo peshë rezulton thuajse e njëjtë me 6-mujori e kaluar, si edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që rezulton më e ulët se mesatarja historike e vrojtimit prej rreth 27%.
Familjet shqiptare deklarojnë se qëllimi kryesor i huamarrjes mbetet ai për konsum, me 35% të rasteve, pasuar nga “për blerjen/riparimin e një prone” në 19% të rasteve dhe për “zhvillim biznesi” në 18% të rasteve.
Por, në 6-mujorin e këtij viti vihet re një rritje e kredive për blerje pronash ose zhvillim biznesi, ndërkohë që ka pësuar rënie marrja e kredisë për konsum. Edhe arsyet e tjera, si ato për studime, si edhe “tjetër”, që në pjesën më të madhe kategorizohen kreditë për mjekim, vijojnë të zënë peshë të konsiderueshme në huamarrjen e familjeve shqiptare, edhe pse me rënie me 2 pikë përqindje krahasuar me periudhën e mëparshme të vrojtimit.
BSH në vrojtimin e saj, vë në dukje gjithashtu se struktura e shpërndarjes së familjeve huamarrëse sipas të ardhurave/shpenzimeve ka vijuar të zhvendoset drejt niveleve më të larta, ndonëse me një ritëm më të zbutur krahasuar me periudhën e kaluar. Kjo tregon se ka një tendencë në rritje të familje me të ardhura më të larta për të marrë kredi. /ekofin.al
