Tirana Bank mbylli këtë vit konvertimin e kapitalit aksioner në lekë, duke shtuar numrin e bankave që zgjedhin ta mbajnë kapitalin e tyre në monedhën vendase.
Sipas raportit të ekspertit kontabël, banka e grupit Balfin ka vendosur që mbajtja e kapitalit në monedhën lekë është më e përshtatshme dhe mbështet më mirë situatën financiare të bankës, në këndvështrimin e likuiditetit, bazuar në ecurinë e treguesve të bankës për periudhën kur është bërë konvertimi si dhe parashikimet në vijim, por edhe nga aspekti i përfitueshmërisë, bazuar në efektet historike të rivlerësimit të pozicionit të krijuar nga mbajtja e kapitalit dhe zërave të tij në Euro, duke konsideruar ndryshimet e kursit të këmbimit euro/lek.
Sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, konvertimi kontabël i kapitalit është kryer me kurs historik, ndërsa diferenca mes kursit historik dhe kursit faktik me të cilin është kryer këmbimi është transferuar në llogarinë e fitimeve të pashpërndara.
Një veprim të ngjashëm pati ndërmarrë në vitet e mëparshme edhe Banka Amerikane e Investimeve, fillimisht me kapitalin e bankës së blerë Credit Agricole Albania dhe në vijim edhe më kapitalin e bankës tjetër të përthithur, NBG Bank Albania.
Në të shkuarën, kthimi i kapitalit nga euro në lekë është motivuar sidomos nga normat më të larta të interesit në lekë krahasuar me ato në euro. Kjo mundësonte përfitime më të mëdha nga mbajta dhe investimi i fondeve të kapitalit të bankës. Në rastin e ABI Bank, konvertimi i kapitalit dha një efekt pozitiv në përmirësimin e rezultatit financiar të bankës, veçanërisht në vitet e para të blerjes së ish-Credit Agricole Albania.
Aktualisht, pesë banka tregtare në Shqipëri e mbajnë kapitalin në valutë të huaj, pesë të tjera në lekë, ndërsa njëra prej tyre ka kapital të përzier në lekë dhe në valutë.
Pas vendimit të marrë vitin e kaluar, Tirana Bank e nisi konvertimin e kapitalit me disa transhe, duke filluar nga korriku 2023 deri në korrik 2024. Më herët, në fillim të 2023, Tirana Bank kishte konvertuar në lekë edhe primet e aksioneve.
Në periudha afatshkurtra, edhe konvertimet e kapitalit nga bankat tregtare kanë dhënë efekte kalimtare mbi kursin e këmbimit valutor. Tirana Bank konvertoi gjithsej 41.8 milionë euro kapital, por të shpërndara në 19 transhe, përkatësisht 12 transhe me vlerë totale 17 milionë euro në periudhën korrik shtator-2023 dhe 7 transhe me vlerë totale 24.8 milionë euro në periudhën mars-korrik 2024.
Duke shtuar edhe primet e aksioneve prej 14.1 milionë eurosh (konvertuar në janar-shkurt 2023), në total Tirana Bank ka konvertuar pothuajse 56 milionë euro nga kapitali i saj në monedhën vendase. /monitor
