Pr/buxheti i vitit 2025 vijon të diskutohet në Komisionin e Ekonomisë. Deputeti Erjon Braçe është shprehur se pensionet, ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë, rimbursimi i medikamenteve janë të pamjaftueshme.
“Pr/buxheti është në rregull me të gjitha formalisht, çfarë është e re në këtë buxhet? Ne shohim përqendrim në dy sektorë të mëdhenj, ndërtim dhe turizëm, pra rritja përqendrohet vetëm këtu. Kemi ndonjë plan për të hapur fusha për investime të tjera, përtej ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme? Politika aktuale të shtyllës sociale janë të pamjaftueshme, pensionet janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën e të moshuarve, ndihma ekonomike edhe më keq se kaq, për të përballuar jetesën. Aftësia ndryshe/ invaliditeti e pamjaftueshme, pagesa e papunësisë e pamjaftueshme, rimbursim i medikamenteve e pamjaftueshme dhe nuk ka shënjestrim, sepse skema e ilaçeve, ndihma ekonomike apo e invaliditetit shkon atje ku nuk e meritojnë. A mund ti rishikoni për të vlerësuar pamjaftueshmërinë, por edhe për efikasitetin e tyre që ti marrin ato që i meritojnë”, është shprehur Braçe.
Skema e re e pensioneve nuk është financuar në buxhetin e vitit 2025, për shkak sepse nuk ka një formulë përfundimtare. Kështu është shprehur ministri i Financave Petrit Malaj në komisionin e Ekonomisë. Ai shtoi më tej se vetëm pasi të jetë gati skema e re mund të ulennë diskutime për të shtuar financimin.
“Projektbuxheti i 2025 nuk adreson skemën finale të pensionit, apo bonuset që planifikohet të jepen, pasi jemi në proces. Kur të kemi formulën finale, ne mund të ulemi të rishikojmë buxhetin e shtetit”, tha ministri Malaj.
Për vitin që vjen janë planifikuar vetëm 16 mln euro për indeksimin e pensioneve dhe 37 mln euro për bonusin e fundvitit, ku vetëm bonusi ka rritje të lehtë me 1 mln euro, kjo rritje tha ministri është bërë pasi do rritet vlera e bonusit. Në total në vitin 2025 për indeksimin dhe bonusin do të harxhohen për 53 milionë euro, më pak se 2024 kur u dhanë 78 milionë euro për indeksimin dhe bonusin.
