Të gjitha të dhënat e pasagjerëve që hyjnë dhe dalin nga territori i Shqipërisë do të regjistrohen në një sistem të vetëm, ku do të kenë akses një numër i caktuar autoritetesh shtetërore. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për mbledhjen, përpunimin, transmetimin, ruajtjen, fshirjen, mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave të informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas projektligjit, çdo transportues pasagjerësh, në rrugë ajrore dhe detare që operon në Republikën e Shqipërisë, në hyrje, dalje apo tranzit dhe që i regjistron ato do të duhet t’i transmetojë të dhënat pranë “Sektorit të Inteligjencës së Pasagjerit (SIP)”. SIP është një strukturë e posaçme pranë Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe që do të përpunojë të dhënat e pasagjerit, përfshirë gjeneralitetet, informacionin e biletës, destinacionin dhe çdo të dhënë tjetër të udhëtimit, duke i hequr në këtë mënyrë administrimin e të dhënave Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Autoritete kompetente që do të kenë akses janë: Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit; Shërbimi Informativ i Shtetit; Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Këto autoritete kanë të drejtë të përpunojnë të dhënat e pasagjerit, me qëllim përmirësimin e kontrollit kufitar, parandalimin e migracionit të paligjshëm, si dhe parandalojnë apo hetojnë dhe të ndjekin penalisht disa krime.
Përveç autoriteteve më sipër, në mbarëvajtjen e punës së SIP do të kontribuojnë edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; Agjencia e Inteligjencës Financiare; Gjykatat dhe Prokuroritë e) Gjykatat e Posaçme në Republikën e Shqipërisë; si dhe SPAK.
Të dhënat nga SIP mund të transferohen në vendet anëtare të BE-së me Interpol dhe Europol, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit dhe atyre dypalëshe, në rastet kur autoritetet ligjzbatuese provojnë me kërkesë të arsyetuar se këto të dhëna janë të nevojshme për të parandaluar vepra penale.
Projektligji ka caktuar edhe afatet e transmetimit të të dhënave, konkretisht transportuesit ajrorë duhet të ndajnë të dhënat 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së fluturimit dhe përditësimin e informacionit paraprak 180 minuta përpara nisjes së planifikuar të mjetit ajror; 60 minuta përpara nisjes së mjetit ajror; dhe menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe avioni është në përgatitje për nisje.
E njëjta gjë vlen edhe për transportuesit detarë, subjekt të kontrollit kufitar. Mostransmetimi i të dhënave të pasagjerit apo transmetimi i të dhënave të paplota apo të rreme, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
Ndërsa garantimi dhe mbikëqyrja e kësaj veprimtarie do të kryhet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në ligjin e të cilit parashikohen edhe sanksionet për përpunimin e të dhënave në kundërshtim me ligjin nga persona të paautorizuar.
Kostoja e përafërt për operatorin ekonomik që do të transferojë të dhënat në SIP, nuk i kalon 200 000 (dyqind mijë) dollarë në vit nëse merret për bazë kostoja aktuale, ndërkohë që me shtimin e flukseve të pasagjerëve dhe aeroporteve përfshirë edhe kompanitë detare, kostoja nuk i kalon 250 000 (dyqind e pesëdhjetë) mijë dollarë në vit. Deri në vitin 2025, pagesa e operatorit ekonomik, do të mbulohet nga SHBA. Pas shtatorit të vitit 2025, kjo shumë, do të përballohet nga programi buxhetor “Për Policinë e Shtetit”. Ligji do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
