Në tremujorin e tretë të vitit pati një rritje të kërkesës për kredi të bizneseve. Rritja u vu re si për financime të kapitalit qarkullues, ashtu edhe për investime.
Në vrojtimin e aktivitetit kreditues për 3-mujorin e tretë të vitit, Banka e Shqipërisë parashikon se kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e katërt të vitit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditet. Edhe në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në segmentin e biznesit të madh.
Por ndërkohë që kërkesat e biznesit për kredi vijnë gjithnjë në rritje, shkalla e miratimit të kredive ka ardhur në rënie. Faktorët që sollën një raport më të lartë të kredive të refuzuara për bizneset në këtë tremujor ishin politikat e bankave lidhur me kolateralin, dhe pasqyrat financiare të bizneseve.
Bankat kanë lehtësuar disi kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve në tremujorin e tretë. Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit u arrit nëpërmjet aplikimit të marzheve më të ulëta mbi kreditë normale dhe nëpërmjet shtimit të madhësisë së kredisë.
Nga ana tjetër, bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset.
Sa i përket standardeve të kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit 2024. Në përgjithësi, pati një lehtësim të këtyre standardeve për biznesin e vogël dhe të mesëm, si edhe u mbajtën të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh. /ekofin.al
