Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi rritje të lehtë me 0.4 pikë në muajin tetor. Niveli i TNE-së qëndron rreth 13 pikë mbi mesataren historike. Përmirësimi i TNE-së në tetor u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve. Në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë. Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më parë.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) regjistroi rënie me 2.5 pikë përqindje në muajin tetor, por duke qëndruar rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e TBI-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe në veçanti, për nivelin e porosive të reja. Gjithashtu, bizneset nuk janë optimiste për nivelin e prodhimit industrial në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen ranë lehtësisht në krahasim me muajin e kaluar.
Sa i përket sektorit të ndërtimit, rezulton se treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u tkurr me 3.3 pikë përqindje në tetor. Megjithatë, niveli i tij aktualisht qëndron 23 pikë mbi mesataren historike dhe afër vlerave maksimale. Rënia e TBN-së këtë muaj u përcaktua nga të dy komponentët përbërës: vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, si dhe niveli i porosive të reja. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar gjithashtu rënie.
Ndërkohë, treguesi i besimit në shërbime (TBSH) shënoi rritje me 4 pikë përqindje në muajin tetor, duke përcaktuar rritjen e treguesit të përgjithshëm. Niveli i tij aktualisht qëndron 19 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e TBSH-së u përcaktua kryesisht nga balancat më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe nivelit aktual të kërkesës.
I njëjti trend pasohet edhe në treguesin e besimit në tregti (TBT), i cili regjistroi rritje të lehtë me 0.1 pikë përqindje në muajin tetor, i ndikuar kryesisht nga vlerësime më të mira për ecurinë e biznesit aktual. Niveli i TBT-së aktualisht qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. TBT-ja u ndikua në kahun rënës nga pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e këtij sektori.
Ndërsa, treguesi i besimit konsumator (TBK) regjistroi rritje me 0.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke vijuar prirjen e lehtë rritëse të muajve të fundit. Ky nivel është 1.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Megjithëse komponentët përbërës të TBK-së dhanë kontribute me kahe të kundërta, agregimi i tyre peshoi nga kahu pozitiv. Ndërsa pritjet për situatën ekonomike dhe ato për blerjet në shuma të mëdha u zgjeruan në tetor, pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen regjistruan rënie./ekofin.al
