Ndikimi i kursit të këmbimit dhe zhvlerësimi i mëtejshëm i euros kanë rrëzuar borxhin publik edhe më poshtë se parashikimet e Ministrisë së Financave. Sipas të dhënave të Financave, të publikuar në buletinin e borxhit për 3-mujorin e tretë të vitit, borxhi publik zbriti në 55.4% të PBB-së në fund të shtatorit.
Gjithashtu, është rishikuar në rënie edhe vlera e borxhit në fund të vitit 2023, në 57.5%. Në projektbuxhetin e sapomiratuar dhe të dërguar në Kuvend, Financat projektojnë se borxhi publik do të zbresë në 56.3% të PBB-së në fund të vitit 2024 dhe në 55.8% në vitin 2025. Shifrat tregojnë se që tani, zbritja (kjo ndikuar nga kursi i këmbimit) ka qënë më e fortë sesa parashikimet.
Për pjesën e mbetur deri në fund të vitit, Financat kanë një plan disi konservator huamarrjeje, kjo edhe për shkak se të paktën deri në shtator buxheti “po shpërthen” nga paratë, me një suficit prej 70 miliardë lekësh, për shkak të ngadalësisë në shpenzime. Zakonisht, ato para që nuk shpenzohen përgjatë një viti buxhetor “i ha borxhi”, i cili vijon të ulet, duke krijuar edhe më shumë hapësira për huamarrje dhe rritje të investimeve.
Referuar të dhënave të publikuara nga Financat, vihet re se në 3-mujorin e tretë ka rënë ndjeshëm përqindja e borxhit të huaj, duke zbritur në 23.55% të stokut në raport me PBB-ve, nga 26.2% që ishte në fund të vitit të kaluar, ndërkohë që borxhi i brendshëm është rritur lehtë në 31.89%, nga 31.3% që ishte në fund të vitit 2023. Kjo do të thotë se Ministria e Financave, ndikuar edhe nga interesat në rënie dhe forcimit të mëtejshëm të lekut kundrejt euros gjatë këtij viti, ka përfituar nga rasti për të rregulluar më tej në favor të saj raportet mes borxhit të jashtëm dhe atij të brendshëm.
Në tregjet ndërkombëtar, kushtet vijojnë të mbeten të shtrënguara, duke reflektuar edhe interesa më të larta, sesa kushtet e huamarrjes së brendshme, ku siç është vënë re dhe në ankandet e fundit të BSH likuiditeti nuk ka munguar, duke sjellë edhe rënie të mëtejshme të normës së yieldeve, tashmë të barazuar edhe me normën bazë të interesit.
Gjithsesi, këto shifra të stokut të borxhit janë të përkohshme, pasi zakonisht ato janë të matshme në fund të vitit. Gjithashtu, projeksionet e Qeverisë për të dalë me Eurobondin e ri vitin e ardhshëm, pritet të sjellin përsëri ndryshime në vlerën e borxhit publik në raport me PBB-në. /ekofin.al

