Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë vitit 2022 investimet publike janë planifikuar në masën 6.4 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se mbështetja për arsimin dhe shëndetësinë shkon në 3.6 dhe 3.5 % të PBB-së.
Ministrja në fjalën e saj në Kuvend teksa po diskutohet nen për nen projektbuxheti dhe Paketa Fiskale iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për shpenzime luksi.
”Ne do të vazhdojmë të mbajmë një shifër të lartë të investimeve publike, rreth 6.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është e rëndësishme të theksohet sepse është më e lartë se sa norma e pritshme e rritjes ekonomike. Do të thotë se këto shpenzime do të çojnë në rritje ekonomike në vitin në vijim. Ka patur aludime për shpenzime luksi, ka pasur aludime për komponentë të shpenzimeve të personelit të cilat, nuk qëndrojnë. Me shifra dua të ç’mitizoj perceptimin e një administrate publike të fryrë, të cilat aktualisht në Shqipëri janë më të ulëtat se sa në vendet e tjera të rajonit dhe në shumë vende të tjera të botës. Në Shqipëri janë 616 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Serbi, janë 690 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Maqedoninë e Veriut janë 638 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Malin e Zi janë 955 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Në Francë janë 812 punonjës për 10 mijë banorë. Në Kroaci janë 714 punonjës publikë për 10 mijë banorë. Fakt është se numri i punonjësve publikë që në kemi sot është më i ulët se sa ai i vendeve fqinje, apo ai vendeve të BE-së”, u shpreh ministrja.
