Pagesat e parashikuara nga Buxheti për kontratat koncesionare/PPP pritet të rriten më tej, duke arritur shifrën prej 14.2 miliardë lekë. Ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2024, pjesën kryesore të financimeve nga buxheti edhe për vitin e ardhshëm pritet të marrë koncesioni i Rrugës së Arbrit, me 3.36 miliardë lekë mbështetje buxhetore.
Për këtë vit, Financat rishikuan në rritje financimet nga buxheti për kontratat koncesionare/PPP dhe ato parashikohet të arrijnë në 14 miliardë lekë. Nga këto, rreth 5.9 miliardë lekë investime dhe rreth 8.1 miliardë lekë shpenzime korente. Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.7 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 10.8% më të larta ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë.
Në relacionin e Buxhetit, theksohet se pagesat faktike për periudhën 9-mujore 2024 rezultojnë në masën rreth 9.3 miliardë lekë ose 66.5% e planit vjetor me ndryshime të vitit 2024. Nga këto, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në muajin gusht me rreth 1.9 miliardë lekë ose 20.6% të pagesave faktike 9-mujore. Nga këto pagesa, 1 miliardë lekë janë dhënë në muajin gusht vetëm për Rrugën e Arbrit. Parashikohet që për gjithë vitin 2024, pagesat për këtë koncesion të jenë 3.5 miliardë lekë.
Pas Rrugës së Arbrit, koncesioni i dytë që merr më shumë mbështetje në buxhetin e vitit të ardhshëm që ai i laboratorëve, me 1.85 miliardë lekë financim. Edhe për vitin aktual, ky koncesion rezulton të jetë në vend të dytë sa i përket fondeve buxhetore që pritet të përfitojë, me pagesa prej 1.7 miliardë lekë.
Më poshtë, tabela me të gjitha pagesat e parashikuara nga Buxheti i shtetit për kontratat koncesionare/PPP. /ekofin.al

Burimi: Ministria e Financave
