Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të lumit Valbona në stinën e vjeshtës.
“Gurgullima e lumit të Valbonës teksa rrezet e para të ditës ndriçojnë krejt luginën”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Vjeshta me temperaturat e ngrohta që ka dhuruar këtë vit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë luginën e Valbonës. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Ekofin.al publikoi disa ditë më parë një guidë për “vashën magjepsëse” alpine.

Në Valbonë, nuk vizitoni thjesht një park kombëtar, me luginën e bukur rrethuar nga malet hijerënda dhe me shpellën e Dragobisë e të tjera si ajo, por një vend me tradita, me histori, me gojëdhëna e legjenda e me këngë kreshnikësh të kënduara me lahutë. Është vendi ku profesorët e Harvardit Milman Parry dhe Albert Lord, midis viteve 1935-1937, regjistruan këngët epike të maleve tona, të cilat iu bënë të njohura botës me titullin ‘The Lord Albanian Collection”.
Prandaj duhet të shkoni me mendje të hapur dhe të eksploroni sa më shumë, duke u bërë një me natyrën e me vendin e mrekullueshëm.

Kudo ju shoqëron zhurma e ujërave të kristalta, që sipas vendasve është i përshtatshëm për t’u pirë nëse ka kaluar nëpër 300 gurë. Valbona krenohet me “Troftën e malit”, e cila është një nga peshqit e lumit nga më të rëndësishmit në rajon dhe vitet e fundit nën masa strikte për ta mbrojtur nga zhdukja dhe peshkimi i gabuar. Nuk mund të lini pa vizituar Ujëvarën e Rrogamit, vetëm 30 minuta largësi nga parku.
Në Valbonë do të shijoni gatimet tradicionale të mishit, pastërma, fli, speca me mazë, qervishi, rozhniku (qumështor i ëmbël ose i kripur) etj. Këtu jeni gjithashtu në vendin e duhur për të provuar mjaltin shumëlulesh apo mjaltin e gështenjës dhe të pishës sipas rastit.
