Forcohen kriteret dhe filtrat e kontrollit për aplikimin e lejeve të punës, por edhe të qëndrimit, për shtetasit e huaj në Shqipëri.
Në një udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Kreut të SHISH, i cili ka hyrë tashmë në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se aplikimi për Leje Unike, apo ripërtëritje të saj, bëhet nga vetë i huaji, punëdhënësi ose personi i autorizuar.
Kërkesa për aplikim i drejtohet autoritetit përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin që mbulon territorin, ku i huaji ka ose do të ketë vendqëndrimin/vendin e punësimit/vendin e studimit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për shtetasit e huaj që aplikojnë për herë të parë për Leje Unike dhe që kanë nevojë për vizë tipi D, aplikimi depozitohet në portalin e Albania.
“Për ripërtëritjen e Lejes së Qëndrimit, ose të Lejes Unike, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për pajisje për herë të parë, përjashtuar aplikimin për vizë për kategorinë e shtetasve të huaj që kërkojnë pajisjen me vizë të tipit D, kur aplikojnë për herë të parë”, thekson udhëzimi.
Tashmë, në procedurat e kontrollit do të jenë edhe strukturat e SHISH. Struktura e migracionit do të kryejnë verifikimet nga sistemi, dhe për raste të veçanta do të kërkohet verifikimi nga SHISH.
APLIKIMI PËR LEJE QËNDRIMI
1. Për kategoritë e të huajve që kanë nevojë për vizë tipi D, për t’u trajtuar me Leje Qëndrimi, aplikimi i depozituar në portalin qeveritar e-Albania aksesohet njëherësh nga sistemet VISA dhe FER.
2. Në sistemin VISA, aplikimi procesohet në përputhje me udhëzimin e përbashkët nr. 242, datë 20.12.2022, midis ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrit të Brendshëm dhe Shërbimit Informativ të Shtetit. Në përfundim të vlerësimit, krahas njoftimit online të shtetasit të huaj, njoftohet MEKI edhe struktura e migracionit nëpërmjet sistemit online mbi miratimin/refuzimin e vizës tipi D për aplikantin e huaj. Në sistemin FER, aplikimi mbetet në statusin “në pritje”, deri në momentin kur i huaji hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë me vizë të tipit D. Shtetasit të huaj të pajisur me vizën e tipit D, i refuzohet online kërkesa për Leje Qëndrimi nga struktura përgjegjëse e migracionit, në rast se nuk hyn brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e lëshimit të vizës së tipit D në territorin e RSHsë, pavarësisht afatit të vlefshmërisë së vizës së lëshuar.
3. Struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune, shqyrton aplikimin për Leje Qëndrimi ose për ripërtëritjen e saj, si dhe dokumentacionin e ngarkuar në portalin qeveritar eAlbania, vetëm kur i huaji ndodhet në territor. 4. Specialisti i migracionit që trajton rastin, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, vlerëson aplikimin dhe komunikon me aplikantin nëpërmjet postës elektronike të portalit qeveritar (FER – Aplikime online), sipas rasteve, si vijon:
a) Nëse konstaton se informacioni apo dokumentacioni i ngarkuar nga aplikanti është i paplotë, njofton të huajin për mangësitë e konstatuara dhe i kërkon plotësimin dhe ngarkimin e tyre online në portalin e-Albania, tek opsioni “Dokumentacion Plotësues”, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike.
b) Nëse janë përmbushur kriteret ligjore dhe dokumentacioni i ngarkuar në sistem është i plotë, duke përfshirë mandatin e arkëtimit në vlerën e tarifës së shërbimit (për kategoritë që paguajnë tarifë), njofton të huajin mbi detyrimin për të dorëzuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nëpërmjet postës, dokumentacionin origjinal dhe mandatarkëtimin origjinal të tarifës së shërbimit, pranë zyrës rajonale të migracionit.
c) Nëse konstaton se nuk janë përmbushur kriteret ligjore, njofton aplikantin mbi refuzimin e kërkesës për mospërmbushje të kritereve ligjore, duke cituar nenin përkatës të ligjit.
5. Mosdorëzimi i dokumenteve të munguara ose mandatarkëtimit brenda afateve të përcaktuara, sjell refuzimin e aplikimit për Leje Qëndrimi.
6. Struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin pranon aplikimin e të huajit për Leje Qëndrimi, brenda afateve të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, dhe në përputhje me kriteret e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
7. Nëse rezulton se i huaji, në raste specifike të përcaktuara në pikën 1, shkronja “a”, dhe në pikën 2, të nenit 34, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, nuk ka përmbushur kriteret e hyrjes dhe të qëndrimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin, i komunikon mospërmbushjen e kriterit dhe i kërkon të përcjellë nëpërmjet postës elektronike arsyen dhe dokumentacionin përkatës, që justifikon shkeljen e kriterit ligjor.
8. Për të huajt që përmbushin kriteret sipas nenit 52, nenit 53, dhe shkronjës “dh”, të pikës 1, të nenit 87, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, aplikimi për Leje Qëndrimi dhe dokumentacioni i nevojshëm ligjor, depozitohet/përcillet me shkresë zyrtare nga autoriteti përgjegjës që trajton kategoritë specifike të të huajve, në përputhje me këto nene, pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin. Kërkesa hidhet manualisht në sistemin FER nga specialisti i migracionit dhe përcillet për vlerësim në strukturat përkatëse.
9. Në rast se i huaji deklaron në formularin e aplikimit online për Leje Qëndrimi se ka qenë i dënuar në vendin e origjinës, specialisti i migracionit, nëpërmjet postës elektronike të portalit qeveritar, i përcjell të huajit njoftimin për të depozituar nëpërmjet postës elektronike të portalit, dëshminë penale me vulë apostile të lëshuar në 6-mujorin (gjashtëmujorin) e fundit, të përkthyer dhe noterizuar në gjuhën shqipe. Specialisti i migracionit kërkon që dëshmia penale origjinale të dorëzohet pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin nëpërmjet shërbimit postar. Nëse ky dokument nuk dorëzohet, aplikimi për Leje Qëndrimi refuzohet.
10. Në raste specifike të aplikimit për herë të parë, kur shtetasi i huaj në aplikimin online deklaron se është i dënuar për vepra penale të ndryshme, apo kur dëshmia e penalitetit e të huajit përmban të dhëna për precedentë penalë, autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin, nëpërmjet Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, u kërkon mendim autoriteteve kompetente të rendit dhe Policisë Kriminale, pranë autoritetit qendror të Policisë së Shtetit, për vijimin e procedurës së vlerësimit të aplikimit. Autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin plotëson rubrikën komente në FER me shënimin përkatës. 11. Pas pranimit të aplikimit për Leje Qëndrimi dhe regjistrimin e aplikimit në modulin e-Leje Qëndrimi, i huaji, brenda 5 (pesë) ditëve, pajiset me Leje Qëndrimi Provizore në formatin elektronik, me afat vlefshmërie 2 (dy) muaj, deri në marrjen e përgjigjes mbi aplikimin e dorëzuar. Në rastet e shtyrjes së këtij afati për arsye administrative, zyra pritëse në autoritetin vendor për kufirin dhe migracionin njofton të huajin për datën e re të përgjigjes. Lista me aplikimet e pranuara nga specialistët e migracionit, nëpërmjet një procedure të automatizuar i kalon për shqyrtim shefit të Sektorit të Migracionit në sistemin FER, që, pas vlerësimit, ia kalon për miratim drejtuesit të drejtorisë vendore për kufirin dhe migracionin. Leja provizore e miratuar i dërgohet automatikisht të huajit në adresën elektronike që ka vendosur në formularin e aplikimit online.
12. Në rast të refuzimit të aplikimit për Leje Qëndrimi ose Leje Unike, pagesa e tarifës është e pakthyeshme, pasi mbulon shërbimin e kryer.
13. Në rastet e aplikimit për Leje Qëndrimi, në kushte favorizuese dhe lehtësuese të përcaktuara në marrëveshje të njohura nga Republika e Shqipërisë, i huaji paraqet përveç sa marrëveshja ka të përcaktuara edhe dokumentet si më poshtë: a) fotokopje të dokumentit të tij të udhëtimit, me të cilin ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë; b) fotokopje të marrëveshjes, në të cilën përcaktohen detyrime specifike për pajisjen me Leje Qëndrimi; c) dokument që provon qëndrimin në territorin e Republikës së Shqipërisë; ç) kërkesë nga institucioni i interesuar për pajisjen me Leje Qëndrimi.
14. Aplikimi, sipas shkronjës “ç”, të pikës 13, nuk kryhet nëpërmjet depozitimit të kërkesës online në portalin qeveritar, por duhet të depozitohet në formë shkresore pranë autoritetit vendor të kufirit dhe migracionit. Kërkesa hidhet manualisht në sistemin FER nga specialisti i migracionit dhe përcillet për vlerësim në strukturat përkatëse.
APLIKIMI PËR LEJE UNIKE
1. Për kategoritë e shtetasve të huaj që aplikojnë për herë të parë për Leje Unike dhe që kanë nevojë për vizë tipi D, aplikimi i depozituar në portalin eAlbania aksesohet njëherësh nga sistemet SSHP, VISA dhe FER.
2. Aplikimi për Leje Unike shqyrtohet nga autoriteti vendor i kufirit dhe migracionit, ku i huaji ushtron aktivitetin, me përjashtim të punonjësve lëvizës digjitalë, të cilët aplikojnë aty ku kanë vendqëndrimin.
3. Të gjitha aplikimet për Leje Unike të të huajve, për të cilat sipas legjislacionit në fuqi kërkohet miratim për punësim nga AKPA, aksesohen nga sistemi SSHP.
4. Në sistemin SSHP, aplikimi i të huajit që kërkon të punësohet/vetëpunësohet në Republikën e Shqipërisë, shqyrtohet në zbatim të legjislacionit në fuqi për të huajt dhe, nëse konstatohet se: a) informacioni apo dokumentacioni i ngarkuar është i paplotë: i huaji njoftohet për mangësitë e konstatuara dhe i kërkohet plotësimi i tyre brenda 10 (dhjetë) ditëve pune; b) nuk janë përmbushur kriteret ligjore: aplikanti njoftohet mbi refuzimin e aplikimit për mospërmbushje të kritereve ligjore, duke cituar nenin përkatës të ligjit.
5. Në përfundim të vlerësimit, krahas njoftimit online të të huajit, njoftohen edhe strukturat përkatëse në sistemet VISA dhe FER online, mbi miratimin apo refuzimin e kërkesës së punësimit/vetëpunësimit për aplikantin e huaj. Në sistemin VISA aplikimi mbetet në statusin “në pritje” deri në momentin e miratimit të punësimit, ndërsa në sistemin FER aplikimi mbetet në statusin “në pritje”, deri në momentin që i huaji hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë me vizë tipi D. /ekofin.al
