Pas suksesit në Shqipëri dhe Mal të Zi, 4iG Group ka konkretizuar strategjinë e tij për të hyrë në tregun e Maqedonisë së Veriut, duke krijuar një filial “ONE Macedonia Telecommunications”. Pas vendimit të bordit të premten e kaluar, kompania e re u themelua nga “Antenna Hungária Zrt.”, një degë e 4iG Group, e cila zotëron portofolin e telekomunikacionit të grupit të info-telekomit në Hungari dhe në Ballkanin Perëndimor.
Krahas bashkëpunimeve profesionale, bizneseve dhe sinergjive operacionale të fituara nga përvojat e mëparshme në rajon, qeveria maqedonase gjithashtu mbështet hyrjen në treg të Grupit 4iG. Qeveria pret që ardhja e një ofruesi të ri shërbimi të rrisë konkurrencën në treg, të përmirësojë cilësinë e rrjeteve të telekomunikacionit, në mënyrë që të përshpejtojë digjitalizimin e vendit.
Tamás Tábori, drejtori menaxhues i “One Macedonia Telecommunications” shprehu përkushtimin për hyrjen në tregun maqedonas të telekomunikacionit me të njëjtin përkushtim dhe inovacione si në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe se themelimi i kompanisë është një hap domethënës dhe i prekshëm drejt shndërrimit në një ofrues të madh të telekomunikacionit në Maqedoninë e Veriut.
Fushëveprimi i operatorit përfshin shërbimet celulare, fikse dhe satelitore, tregtinë me shumicë dhe pakicë të produkteve të telekomunikacionit dhe IT-së, si dhe shërbime të këshillimit të biznesit.
Si anëtar i Aleancës “O-RAN”, Grupi 4iG është i përkushtuar të përdorë teknologji nga furnizues të besueshëm, si pjesë e iniciativës së ashtuquajtur “rrjet i pastër”, që është një kërkesë e vendosur nga qeveria maqedonase për hyrjet e reja në treg. Është inicializuar edhe regjistrimi i faqeve të internetit të ofruesit të ri të shërbimeve, me qëllim që kompania të jetë e aksesueshme ndër të tjera përmes domeneve onemacedonia.mk dhe onetelekom.mk./ekofin.al
