Ish-prokurori i krimeve të rënda, kandidat për SPAK, Anton Martini, i shkarkuar nga vettingu në vitin 2021, ka marrë drejtimin e Hetimit Tatimor. Ai është prezantuar nga drejtori i përgjithshëm Ilir Binaj, që theksoi se falë përvojës dhe reputacionit në fushën e drejtësisë, Martini do të udhëheqë një nga strukturat më të rëndësishme në përpjekjen e administratës tatimore kundër evazionit fiskal.
Kush është Anton Martini
Ish-prokuror, me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, prej mbi 20 vitesh, përpara se të shkarkohej nga shkalla e dytë e vettingut, KPA, pasi kishte kaluar filtrin e parë. Martini në atë rast ishte përzgjedhur nga KLP për t’u bërë pjesë e SPAK, ndaj iu nënshtrua vettingut të përshpejtuar. Por pasi KPK nuk gjeti elementë për shkarkimin e tij, shkalla e dytë, në një proces që u shoqërua me jo pak polemika, e shkarkoi ish-kryeprokurorin e Shkodrës. Martini njihet edhe për reputacionin e tij si një nga prokurori që luftoi bandat.
Pas shkarkimit nga KPA, në një nga deklaratat e forta publike, Martini u shpreh se “ishte pushkatuar në pabesi nga shteti, për të cilin punoi me përkushtim për 23 vite”. E nëse vendimi për shkarkimin nuk e lejon atë të përfshihet sërish në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, tashmë Martini ka gjetur një dritare të re për të shërbyer sërish si hetues, por këtë herë në krye të Hetimit Tatimor. /ekofin.al
