Anketa në 14 vende dhe territore tregon se qeveritë dhe bizneset po dështojnë të përmbushin pritshmëritë e publikut për sjelljen ndaj Mjedisit, Shoqërisë dhe Qeverisjes (ESG).
Bizneset dhe qeveritë në të gjithë botën po dështojnë të përmbushin pritshmëritë e publikut për sjelljen kundrejt ESG-së, evidentoi raporti i katërt vjetor ESG Monitor nga SEC Newgate, grupi global i komunikimeve strategjike, avokatisë dhe kërkimeve.
Anketa* e më shumë se 14,300 njerëzve në 14 vende dhe territore zbulon se publiku ka pritshmëri të larta për qeveritë dhe pret që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në çështjet ESG, me thuajse tre nga pesë të intervistuar (58%), të cilët i japin kësaj një vlerësim për nga rëndësia me 9 ose 10, nga 10.
Një shumicë e ngjashme (54%) thanë të njëjtën gjë për bizneset e mëdha, ndërsa pritshmëritë janë më të ulëta për bizneset e vogla dhe të mesme (37%).
Megjithatë, njerëzit dhanë vlerësime të ulëta për performancën e të tre grupeve, kur bëhej fjalë për arritjen e rezultateve të forta ESG. Pak më shumë se gjysma i vlerësuan qeveritë dhe bizneset e mëdha me 7, ose më shumë, nga 10 (53% dhe 54%), me një qasje pak më pozitive ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme (58%).
Gati dy të tretat e të anketuarve (65%) gjithashtu thanë se kompanitë duhet të luajnë një rol më aktiv në shoqëri – por gjetja e balancës është thelbësore.
Ka gjithashtu një besim të fortë (73%) se performanca e mirë në përgjegjësitë ESG nuk duhet të vijë në dëm të fitimeve, ndërsa pjesa dërrmuese (78%) besojnë se kompanitë duhet të veprojnë në interesin më të mirë të të gjithë palëve të interesuara, në vend që t`i japin përparësi aksionerëve përpara palëve të tjera.
Për më tepër, kërkimi zbuloi se njohja e termit ‘ESG’ ishte e qëndrueshme në 2024, duke arritur 54% në shkallë globale, krahasuar me 53% në 2023. Të anketuarit në Hong Kong RAS (43%), Singapor (41%) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (39%) ishin më të prirur të pohonin se kishin një njohje të mirë të ESG-së, ndërsa Greqia (11%), Kolumbia (11%), Polonia (9%) dhe Spanja (9%) kishin nivelin më të ulët të njohurive.
Nisur nga kërkimi, u shfaq një tipar demografik i ri: burrat nën 50 vjeç, me arsim universitar dhe që ndiqnin rregullisht lajmet, ishin më të prirur për të qenë të vetëdijshëm për ESG-në.
Në lidhje me komunikimin e shqetësimeve të tyre rreth ESG-së, një shumicë e madhe e njerëzve (73%) ranë dakord se kompanitë duhet të komunikojnë më qartë se çfarë po bëjnë për të përmirësuar performancën e tyre në çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes. Ndërsa gati gjysma (44%) e personave të anketuar pohuan se nuk e besonin atë që kompanitë thonin lidhur me aktivitetet, ose performancën e tyre ESG.
Duke folur për rezultatet kërkimore, Fiorenzo Tagliabue, CEO i Grupit të SEC Newgate, u shpreh: “Monitorimi ynë global ESG ka gjetur se mangësitë në komunikimin korporativ janë të dukshme, me një shumicë të madhe, e cila beson se kompanitë duhet të komunikojnë më qartë se çfarë po bëjnë për të përmirësuar performancën e tyre në çështjet ESG dhe për të adresuar nevojat e palëve të interesuara.
“Shkalla e përputhshmërisë me standardet e raportimit ESG është vetëm një pikë fillestare; ajo siguron që biznesi të përmbushë kërkesat e tij rregullatore, por nuk nënkupton ekselencë ose një plan ambicioz për të nxitur ndikimin përmes operacioneve korporative.
“Qartazi, një qasje e mirëmenduar është e nevojshme për të kapërcyer skepticizmin, me shumë për individët, të cilët nuk i besojnë asaj që kompanitë pretendojnë për ESG-në, dhe duke marrë parasysh që shumë besojnë se kompanitë, të cilat përqendrohen në nismat ESG kanë shumë fokus politik.
“Biznesi është nën një vëzhgim të theksuar për çështjet ESG, por dështimi i tyre për të vepruar në mënyre largpamëse dhe dështimi për të qenë transparent në lidhje me planet dhe arritjet e tyre në çështjet ESG, paraqet një rrezik potencial reputacioni.”
Anketa gjithashtu intervistoi individët për shqetësimet e tyre kryesore, me fokus në nevojat e tyre të menjëhershme.
Pesë shqetësimet kryesore globale përfshinin:
- Sigurimi i kujdesit shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm për të gjithë
- Reduktimi i krimit dhe dhunës
- Adresimi i rritjes së kostos së jetesës
- Sigurimi i furnizimeve të sigurta dhe të përballueshme të ushqimit
- Forcimi i ekonomisë
Për më tepër, të anketuarit u pyetën lidhur me të ardhmen e vendeve të tyre. Opinioni ndryshoi ndjeshëm sipas vendeve. Shkalla më e lartë e optimizmit u shfaq sërish nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapori dhe Hong Kong. Pavarësisht disa përfitimeve krahasuar me 2023, në përgjithësi shumica besojnë se vendi i tyre po shkon në drejtimin e gabuar.
Pjesa e individëve që besojnë se drejtimi i vendit të tyre është në rrugën e duhur:
Mesatarja globale: 47% (49%: 2023)
EBA: 97% (98%)
Singapor: 86% (84%)
Hong Kong: 75% (77%)
Polonia: 50% (29%)
Brazili: 47% (i ri)
Australia: 46% (47%)
Spanja: 40% (45%)
MB: 37% (26%)
Kolumbia: 37% (40%)
SHBA: 37% (37%)
Italia: 35% (39%)
Gjermania: 29% (35%)
Greqia: 26% (e re)
Franca: 16% (27%)
Duke komentuar më tej mbi kërkimin, Sue Vercoe, Partnerja Drejtuese e SEC Newgate Australia dhe e SEC Newgate Research, shtoi: “Monitorimi ynë vjetor ESG ka treguar se njerëzit kanë pritshmëri të larta nga organizatat për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme lidhur me çështjet ESG, megjithatë karta e vlerësimit për qeveritë dhe bizneset mbetet e pakënaqshme.
“Pavarësisht shqetësimeve të tjera të ngutshme të publikut në jetën e tyre të përditshme, shumica ende i shohin çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes si të rëndësishme për t’u adresuar – edhe nëse nuk i shohin këto përmes një lente formale ‘ESG’.
“Kjo është një sfidë, si në pikëpamje të komunikimit, ashtu edhe ana operacionale për bizneset dhe qeveritë. Ka ende shumë punë për të bërë kur bëhet fjalë për ESG-në.”
