Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s ka rritur për herë të parë me një shkallë vlerësimin për Shqipërinë në Ba3 nga B1 që ishte aktualisht. Ky vlerësohet si një upgrade shumë i rëndësishëm për borxhin sovran të Shqipërisë dhe për atraktivitetin për blerjen e titujve të borxhit në sytë e investitorëve të huaj.
Në raportin e saj për Shqipërinë, të cilin e disponon EKOFIN.al, agjencia Moody’s vlerëson se rritja e vlerësimit me një shkallë erdhi si pasojë e përmirësimeve të qëndrueshme ekonomike dhe fuqisë fiskale.
“Ne parashikojmë rritje të qëndrueshme ekonomike në afatmesëm, udhëhequr edhe nga financimet e BE-së për implementimin e reformave të rëndësishme, investimeve të huaja direkt në sektorin e turizmit dhe në sektorin e energjisë, ndryshimet strukturore që rrisin produktivitetin, si edhe rritjen e qëndrueshme të pjesëmarrjes në punësim,” thekson ndër të tjera Moody’s në raport.
“Borxhi publik ka zbritur në mënyrë të ndjeshëm, që kur arriti pikun në vitin 2021 dhe ne parashikojmë reduktim të mëtejshëm në afatmesëm, ndikuar nga zbatimi i reformave fiskale. Parashikimi “i qëndrueshëm” reflekton këndvështrimin tonë se risqet për sipër dhe për poshtë janë të balancuara. Ne presim që reformat drejt integrimit në BE do të vijojnë, por zbatimi i tyre pritet të jetë gradual,” vlerësojnë më tej në raport analistët e MOODY’s.
Risku i likuiditetit të Shqipërisë mitigohet nga financimet e BE-së dhe institucionet ndërkombëtare financiare, si edhe nga qëndrueshmëria e sektorit bankar vendas, i cili zotëron likuiditetit të lartë, për shkak edhe të raportit kredi-depozita në masën 49% në korrik 2024, thekson më tej agjencia ndërkombëtare e vlerësimit.
Prej vitesh, vlerësimi i Moody’s për Shqipërinë kishte qëndruar në shkallën B1, duke lëvizur së fundmi në prill “në pozitive”, nga e qëndrueshme. Por kjo është hera e parë që borxhi sovran i Shqipërisë merr një notë kaq të lartë vlerësimi. Vitin e kaluar, edhe agjencia tjetër prestigjoze e vlerësimit Standard&Poor’s rriti për herë të parë shkallën e vlerësimit të borxhit të Shqipërisë në BB. /ekofin.al
