Shitësi më i madh i elektronikës dhe pajisjeve shtëpiake në Shqipëri, Neptun, ka hapur dyqanin e tij të parë në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, Sarajevë, si pjesë e planeve për t’u zgjeruar më tej në rajon.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Neptun informoi se do të hapë dyqane edhe në qytetet e tjera kryesore në Bosnje, duke përfshirë Mostarin, Tuzlën dhe Zenicën, duke mbuluar zona midis 700 dhe 1200 metra katrorë.
Sipas faqes zyrtare të korporatës, Neptun ka 30 dyqane në qytetet kryesore në Shqipëri, 28 në Maqedoninë e Veriut dhe 14 në Kosovë. Neptun po planifikon gjithashtu të prezantojë nënmarkën e tij “Nova Electronics”, në tregun e Kosovës, theksoi CEO i kompanisë Alexandros Kosenas. Nova ka aktualisht 20 dyqane në Shqipëri.
Neptun, i themeluar në vitin 2001, është në pronësi të “Balfin Group”. Ai është i specializuar në shitjen me pakicë të pajisjeve shtëpiake, televizorëve, laptopëve dhe telefonave inteligjentë dhe lojërave elektronike.
Dyqani në Sarajavë shtrihet në një sipërfaqe prej 1000 metrash katrorë në qendër të kryeqytetit boshnjak.
Në fjalën e tij, CEO i Neptun u shpreh: “Jam shumë i emocionuar të njoftoj se kemi hapur dyqanin tonë të parë në Sarajevë, kështu që kjo është hyrja zyrtare e Neptun në Bosnje dhe Hercegovinë!
Sarajeva është një qytet që lë me të vërtetë përshtypje, është një vend ku historia, kultura dhe diversiteti përzihen pa probleme. Duke ecur nëpër rrugë, mund të ndjeni energjinë e një qyteti që ka kaluar kaq shumë, por mbetet plot jetë dhe optimizëm.
Që nga momenti kur filluam këtë rrugëtim, ne nuk kemi ndier asgjë përveç mikpritjes së vërtetë nga njerëzit e Sarajevës dhe kemi marrë komente të shkëlqyera për konceptin e shitjes me pakicë që prezantuam. Përveç kësaj, ishim gjithashtu me fat që gjetëm kolegët më të mirë për të punuar dhe kjo është pjesa më e mirë e recetës sonë.
Mezi presim të bëhemi pjesë e këtij komuniteti dhe të sjellim përvojën e Neptun për konsumatorët boshnjakë!!!! Suksese Omar Pamuk dhe ekipi i Neptun BiH!” /ekofin.al
