Rreth 5 milionë persona, ose një në katër individë nga Ballkani Perëndimor aktualisht jetojnë jashtë vendit, thekson Banka Botërore në raportin e saj më të fundit.
Shqipëria dhe Bosnje Hercegoniva janë dy vendet që kanë numrin më të lartë të emigrantëve si përqindje e popullsisë, referuar matjeve të bëra në vitin 2021, me mbi 30%.
BB nënvizon në raport se historikisht emigrimi ka qënë me profil të balancuar gjinor, por së fundmi ka një rritje të fortë në normat e emigrimit të meshkujve. Shumica e emigrantëve janë në moshë pune dhe kryesisht me nivel të ulët arsimor.

Motivet ekonomike janë shtytësi kryesor që sjell emigracion nga vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të shteteve të BE-së, por arsye janë edhe pakënaqësia me systemin shëndetësor dhe arsimor në vendet e origjinës, korrupsioni i perceptuar, si edhe ribashkimi familjar.
“Menaxhimi më i mirë në nivel global i fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor mund të jetë një shtytës kryesor për zhvillimin ekonomik në rajon. Ndonëse emigracioni mund të sjellë sfida, si mungesa e fuqisë punëtore në vend, ai gjithashtu mund të krijojë mundësi të qarta lidhur me përdorimin e emigracionit për përfitime ekonomike,” thekson Banka Botërore.
Sipas raportit, nëse menaxhohet në mënyrë efektive, migracioni mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e varfërisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve, duke rezultuar në këtë mënyrë në krijimin e vendeve të punës dhe transferimin e njohurive. Për shembull, remitancat mund të përmirësojnë burimet financiare për familjet e emigrantëve. Përveç kësaj, kthimi i emigrantëve të kualifikuar mund të sjellë një “kthim të trurit’ në vendet e tyre të origjinës, ndërsa joshja nga paga më të larta jashtë vendit mund të motivojë arsimimin dhe rritjen e aftësive për ata që vendosin të qëndrojnë.
Vlerësohet se mesatarisht 70% e emigrantëve në vendet e BE-së dërgojnë remitancat në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Remitancat në raport me PBB-në variojnë nga 2.5% në Maqedoni, në 4.4% në Shqipëri dhe në 13.4% në Kosovë. Kosto mesatare e dërgimit të remitancave në vendet e BP6-ës është 7.9 përqind e vlerës së transaksionit dhe anëtarësimi në SEPA mund të sjellë ulje të ndjeshme të tarifave, vlerëson BB.
Përveç largimeve, ka edhe kthime. Në Shqipëri, nga viti 2001 deri në vitin 2011 rreth 140,000 emigrantë u kthyen në vend dhe 108,000 të tjerë u kthyen në periudhën 2011-2023, thotë Banka Botërore. /ekofin.al
