Miratimi i një kuadri legjislativ gjithëpërfshirës, i cili përfshin një gamë të gjerë rregulloresh të reja që rregullojnë aktivitetet turistike, reformat në sistemin e taksave të turizmit, zhvillimin e strukturave të reja akomoduese, si dhe licencimi dhe kategorizimi i shërbimeve turistike, ka sjellë si nevojë ngritjen e një task-force të posaçme për mbikëqyrjen e tyre.
Sipas dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, kjo task-forcë do të luajë një rol thelbësor duke garantuar aplikimin dhe zbatimin e vazhdueshëm të këtyre rregulloreve. Përmes aksesit në datatabazat për të dhënat massive (big data) ajo do të analizojë aspekte të ndryshme të veprimtarisë turistike në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor, çka do u mundësojë inspektorëve të identifikojnë ofruesit e paformalizuar të strukturave akomoduese.
Task-forca digjitale do të jetë përgjegjëse për të identifikuar/përcaktuar të gjithë ofruesit e paligjshëm dhe/ose të paregjistruar të strukturave akomoduese, si dhe për të orientuar inspektorët në zona specifike për vendosjen e sanksioneve.
Në fazën e parë duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë ofruesve të strukturave akomoduese pasi ekziston një hendek i konsiderueshëm. Më pas, task-forca mund të fokusohet tek ofruesit e tjerë të shërbimeve, duke përdorur instrumente të tjera për të identifikuar shkelësit.
Për të mundësuar një mbikëqyrje të plotë dhe të vazhdueshme, çdo pjesëtar i kësaj task-force duhet të mbikëqyrë një ekip inspektorësh ose operativësh. Kjo qasje synon të minimizojë shkeljet e legjislacionit, të rrisë transparencën dhe efikasitetin në sektorin e turizmit, të sigurojë pajtueshmëri uniforme për të gjitha grupet e përfshira të interesit, si dhe reduktojë ekonominë informale./ekofin.al
