Yieldi mesatar i ponderuar i boneve të thesarit të Qeverisë pësoi një tjetër rënie në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, duke prekur një nga shifrat më e ulëta që nga korriku i vitit 2022.
Në ankandin e zhvilluar më 15 tetor, yieldi mesatar i ponderuar zbriti në 3.02%, nga 3.11% që ishte në ankandin e fundit, atë të zhvilluar në fund të muajit shtator. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vetëm një herë për të ulur normën e interesit, e cila aktualisht qëndroi në 3% edhe në mbledhjen më të fundit të Këshillit Mbikëqyrës, yieldi i letrave të Qeverisë ka ndjekur një trajektore rënëse.
Rënia e mëtejshme e yieldit ka reflektuar edhe kërkesën e lartë nga ana e investitorëve, ku shuma e shpallur ishte 8 miliardë lekë, ndërkohë që janë ofruar më shumë se 14.5 miliardë lekë dhe më tej janë pranuar nga Ministria e Financave 9.2 miliardë lekë.
Deri në fund të vitit, parashikohet të zhvillohen edhe tre ankande për Bono Thesari me maturim 12-mujor, nga të cilët njëri në fund të tetorit dhe dy të tjerët, njëri në nëntor dhe tjetri në dhjetor. Pritshmëritë janë për rënie të mëtejshme të yieldeve, duke vijuar tendencën e nisur që në mesin e vitit 2022, pasi normat kishin arritur deri në 6%.
Bonot 12-mujore janë instrumenti që ndikon direkt edhe në interesat e kredive, sidomos ato hipotekore, ndaj kjo ulje pritet të reflektohet direkt edhe në interesa më të ulëta për kreditë bankare për qytetarët. /ekofin.al
