Lituania dhe Hungaria janë ndër vendet më të mira për të investuar në prona, ndërsa Belgjika dhe Franca renditen ndër më të këqijat, sipas një studimi të ri nga kompania e 1st Move International në Britani.
Raporti shqyrtoi elementët kryesorë të investimeve në pronë në të gjithë vendet evropiane, duke përfshirë normat e tatimit në pronë, tatimin mbi të ardhurat mbi qiranë dhe rendimentin bruto të qirasë dhe gjetjet e tyre sugjerojnë se Lituania është zgjedhja kryesore si vendi më i mirë për investime në pasuri të paluajtshme.
Vilnus, kryeqyteti i Lituanisë, premton një rendiment mesatar të qirasë prej 5.65%, sipas të dhënave më të fundit të Global Property Guide. Çmimet e qirave janë të larta në vend, më shumë se 170% e asaj që ishin në vitin 2015, sipas OECD. Tatimi mbi të ardhurat nga qiraja është mesatarisht 15%. Të huajt nuk janë të kufizuar në blerjen e pronave.
Çmimet e pronave u rritën me më shumë se 10% në tremujorin e dytë të 2024 krahasuar me një vit më parë, sipas Eurostat dhe trendi ka të ngjarë të vazhdojë, duke siguruar një kthim të mirë nga investimi.
Estonia renditet si zgjedhja e dytë më e mirë për investitorët. Jorezidentët e shtetit baltik gjithashtu lejohen të blejnë prona në qytet. Kostoja e blerjes, përfshirë taksat, konsiderohet e ulët, rreth 1.3%. Ndërkohë, çmimet e qirave janë relativisht të larta, me një rendiment vjetor bruto prej rreth 4.5% dhe tatimin mbi të ardhurat e qirasë në 20%.
Me rritjen e çmimeve të pronave me 6.7% gjatë vitit deri në qershor 2024, vlera e investimit mund të rritet më tej. Rumania renditet e treta në këtë raport, ku avantazhet përfshijnë një kosto shtesë relativisht të lirë të blerjes, një normë mesatare shumë të ulët të tatimit mbi të ardhurat nga qiraja prej 10% dhe një rendiment relativisht të lartë bruto të qirasë prej 6.46% në vit.
Irlanda premton rendimente të larta, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të qirave, por taksat e ngritura mund të heqin pak nga të ardhurat neto vjetore. Vendi po përballet me një krizë strehimi me mungesën e shtëpive që po ndërtohen për popullsinë në rritje, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten.
Sipas këtij raporti, ka gjithashtu mundësi të mira për të investuar në prona në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si Hungaria, Sllovenia dhe Polonia, ku qiratë janë të larta (në Hungari 180% të nivelit të tyre të vitit 2015), por taksat janë të moderuara. Çmimet e shtëpive në Poloni u rritën me 17.7%, në Hungari 9.8% dhe në Slloveni 6.7% në 12 muajt para qershorit 2024, sipas Eurostat.
Ndërkohë, vendet më të këqija për të konsideruar investimin në prona sipas këtij raporti janë Belgjika, e ndjekur nga Franca dhe Greqia.
Belgjika ka një nga kostot më të larta të transaksionit në Europë dhe tatimi mbi të ardhurat nga qiraja mund të arrijë lehtësisht 50%. Rendimenti mesatar është rreth 4.2%, por kjo mund të jetë më e lartë në Bruksel. Çmimet e pronave u rritën me 3.4% në tre mujorin e dytë të 2024.
Franca konsiderohet vendi i dytë më i keq për të investuar në prona, sipas raportit, i cili thekson se taksat dhe kostot e blerjes dhe marrjes me qira janë relativisht të larta. Për shembull, norma mesatare e tatimit mbi të ardhurat nga qiraja e investitorëve të pasurive të paluajtshme është 18.28%. Rendimenti bruto vjetor i qirasë është rreth 4.5%. Sipas Eurostat, çmimet e pronave franceze në fakt ranë me 4.6% këtë vit.
Greqia doli në vendin e tretë në listën e vendeve më të këqija për investime në prona, për shkak të kostove të larta të blerjes dhe rritjes së nivelit të tatimit mbi të ardhurat me normat mesatare të tatimit mbi të ardhurat nga qiratë që janë mbi 33%, thekson raporti.
